Blerim Canaj: Rrethimi i Skenderajt ma riktheu kujtesën në vitet ’90, kur Drenica rrethohej nga njësitë speciale pushtuese
“Pamjet nga Skenderaji, i rrethuar nga forcat speciale, për një moment ma rikthyen kujtesën në vitet ’90, kur Drenica rrethohej nga njësitë speciale pushtuese, sepse nuk nënshtrohej. Historia nuk harrohet aq lehtë.
Sot, Skenderaji nuk po rrethohet për shkak të një njeriu që e çliroi atë vend dhe dha gjithçka për lirinë e Kosovës, por për shkak të tensioneve që po krijohen nga pushteti. Kur pushteti fillon të prodhojë tensione dhe të ushqehet me kriza, lind pyetja: kujt dhe pse po i duhet kjo përplasje?
Nga e kaluara kemi mësuar se provokimet mund të krijojnë frikë për një ditë, por nuk ndërtojnë të ardhme. Drenica ka dëshmuar edhe më parë se, kur regjimet kanë tentuar ta poshtërojnë dhe ta shtypin, fundi ka qenë çlirimi dhe fitorja e Kosovës.
Jo çdo krizë e zgjat jetën e një regjimi. Disa kriza vetëm e zgjojnë kujtesën e një populli që nuk pranon të nënshtrohet.
Sonte mund të jetë Skenderaji, nesër mund të jetë dikush tjetër”, ka shkruar ish-diplomati dhe analisti politik Blerim Canaj, pasi njësitë speciale të Policisë së Kosovës rrethuan Skenderajn pas një konflikti ndërmjet kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe një aktivisti të Lëvizja Vetëvendosje.



