Boris Johnsoni jep dorëheqje nga posti i kryeministrit

07 korrik 2022 | 13:54

Boris Johnson ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Britanisë së Madhe, duke thënë se ka emëruar një kabinet qeveritar dhe ai do të shërbejë në këtë pozitë deri sa të zgjidhet një kryeministër i ri.

Ai po ashtu është larguar nga udhëheqja e Partisë Konservatore.

“Është e qartë tani se vullneti i Partisë Konservatore është që duhet të ketë një lider të ri të partisë dhe kryeministër”, ka thënë Johnsoni, teksa i është drejtuar kombit nga zyra e kryeministrit.

Njoftimi i Johnsonit vjen pasi më shumë se 50 zyrtarë britanikë kanë dhënë dorëheqje.

Tetë ministra, përfshirë edhe dy sekretarë të shtetit, kanë dhënë dorëheqje më 7 korrik, duke e lënë të izoluar dhe pa fuqi politike Johnsonin dhe duke e shtyrë atë që të njoftojë për dorëheqje e tij.

Në mesin e zyrtarëve që kanë dhënë dorëheqje janë edhe kancelari Nadhim Zahawi, i cili është emëruar dy ditë më parë. Ai ka thënë se situata “nuk është e qëndrueshme dhe vetëm do të përkeqësohet”.

Zahawi ishte emëruar pasi Rishi Sunak ishte dorëhequr dhe ka thënë se nuk mund ta mbështeste më Johnsonin për shkak të një serie të skandaleve etike.

Po ashtu, sekretari për Irlandën, Brandon Lewis është në mesin e politikanëve që janë dorëhequr.

Pakënaqësitë në kabinetin e Johnsonit janë shfaqur pas disa zbulimeve së fundmi lidhur me sjellje të papërshtatshme seksuale të ligjvënësit, Chris Pincher, ligjvënës konservator dhe është raportuar se Johnson ishte në dijeni të këtyre ndodhive.

Javën e kaluar, Pincher ka dhënë dorëheqje pasi kanë dalë ankesa se ai kishte ngacmuar dy burra në një klub privat. Kjo nxiti një seri raportimesh për pretendime në të kaluarën ndaj Pincherit. Menjëherë pas zbulimit të këtij skandali nisën edhe dorëheqjet e para nga kabineti i Johnsonit.

Boris Johnson ka thënë se ai nuk do të japë dorëheqjen pas humbjes së dyfishtë të zgjedhjeve të pjesshme në Britaninë e Madhe.

Johnsoni i kishte mbijetuar një mocioni mosbesimi më 6 qershor të ngritur nga Partia Konservatore, edhe pse 41 për qind e ligjvënësve votuan që ai të largohej nga detyra.

Johnson ka ardhur në pushtet më 2019, pasi ka shënuar fitoren më të madhe që kishte përjetuar Partia Konservatore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy partitë opozitare, PDK-ja dhe LDK, kanë kërkuar nga ministrja…