Borrelli: Ballkani, politika e jashtme më e rëndësishme e BE-së
“Ballkani Perëndimor është politika jonë e jashtme më e rëndësishme”, ka deklaruar përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell para darkës joformale që ka organizuar me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj.
Pjesëmarrës në darkën në Bruksel janë: ministrja e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik.
Kosova përfaqësohet në këtë darkë joformale me kryediplomaten Gërvalla, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjenden për vizitë në Shtetet e Bashkuara.
“Ballkani Perëndimor është pjesë e gjeografisë sonë dhe dëshirojmë të përballemi së bashku me veprimet përçarëse të Rusisë drejtpërdrejt në rajon përmes dezinformimit dhe sulmeve kibernetike”, tha Borrelli para darkës.
“Takimi sonte do të përforcojë më tej angazhimin e vazhdueshëm me Ballkanin Perëndimor, i cili mbetet prioriteti ynë strategjik”, shtoi ai.
Borrelli tha se sot bota është në një situatë krejtësisht të ndryshme që nga shtatori i vitit të kaluar, kur u zhvillua takimi i fundit me liderët e Ballkanit Perëndimor.
“Në shtator askush nuk mund të priste që ne do të jemi me një agresor, duke rikthyer luftën në Evropë dhe duke parë këtë ndikim shkatërrues të gjakderdhjes së pakuptimtë. Evropianët nuk e mbajnë mend luftën dhe tani e shohim luftën në kufijtë tanë”.
“Lufta e fundit në Evropë ishte në Ballkan, tani është në Ukrainë dhe sot do të jetë një rast i mirë për të diskutuar mbi ndikimin global dhe rajonal të kësaj lufte të Putinit, një luftë ilegale kundër popullit ukrainas dhe kundër rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, theksoi ai.
Ai tha se dëshiron të diskutojë me “partnerët tanë më të afërt, gjashtë liderët ballkanikë se si mund t’i trajtojmë së bashku pasojat e kësaj lufte”.
“Si gjithmonë unë jam i etur të dëgjoj për shqetësimet e këtyre liderëve, duke pasur parasysh këtë situatë dhe mënyrën se si ta trajtojmë ndikimin negativ në luftën e Putinit për ushqimin, energjinë dhe stabilitetin në kontinentin tonë të përbashkët”, u shpreh ai.
Borrelli po ashtu mirëpriti që shumica e shteteve në Ballkan vepruan në linjë të njëjtë me bllokun ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe u bëri thirrje edhe shteteve tjera të veprojnë njësoj.



