Bylbyl Sokoli prezantohet te Malisheva, do të jetë trajneri i katërt i kësaj skuadre për këtë edicion

14 prill 2026 | 10:55

Malisheva e ka prezantuar trajnerin e katërt, vetëm për këtë edicion të garave në Superligën e Kosovës në futboll.

Kur veçse ka përfunduar xhiroja e 28-të në elitën e futbollit të Kosovës, Malisheva e ka prezantuar trajnerin e ri, Bylbyl Sokolin, pas ndarjes së rrugëve me Elon Berishën, pas humbjes nga Prishtina e Re ditën e shtunë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Malisheva ka njoftuar se “Profa” do ta drejtojë skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit.

“FC Malisheva njofton opinionin publik se ka arritur marrëveshje me kryetrajnerin e mirënjohur, Prof. Bylbyl Sokoli, i cili do ta drejtojë skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit. Profesori rikthehet në Malishevë, tani për objektiva edhe më të larta, të cilat shpresojmë se do t’i arrijmë bashkërisht”, ka njoftuar Malisheva.

“Profa” është trajneri i katërt i Malishevës këtë edicion.

Bekim Isufi e kishte nisur sezonin me malishevasit, derisa pas tij drejtimin e mori Qatip Osmani. Pas Osmanit, në krye të skuadrës erdhi Elon Berisha, deri këtë fundjavë.

Ndërkohë, Sokoli është rikthyer te Malisheva, pasi më parë e kishte drejtuar skuadrën në sezonin 2022/23. Ai kishte marrë drejtimin e Malishevës më 1 janar 2023, dhe e kishte drejtuar për 20 ndeshje, deri në fund të atij sezonit – në qershor të 2023-s.

Momentalisht, Malisheva është e pesta në tabelën e Superligës së Kosovës, me 40 pikë të mbledhura pas 28 ndeshjesh.

Në Kupën e Kosovës, Malisheva është eliminuar në çerekfinale nga Llapi pas penalltive.

Bylbyl Sokoli në anën tjetër do ta udhëheqë një skuadër të Superligës së Kosovës për herë të dytë këtë edicion.

Kjo pasi ai ishte në krye të Drenicës deri më 3 dhjetor të vitit 2025.

Me Drenicën këtë edicion, ai kishte 16 ndeshje në të gjitha garat, duke marrë gjashtë fitore, dy barazime dhe tetë humbje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar vendimin…