Celtics kualifikohen në fazën finale të ‘play-off’, Pacers kalojnë pengesën e parë

19 maj 2021 | 14:08

Faza e parë “play-off” e NBA-s nisi me dy fitore vendase në Konferencën e Lindjes. Boston Celtics siguroi kalimin në fazën finale të “play-off”-it teksa e mbylli sezonin e rregullit si skuadra e pozicionuar në vendin e shatë pasi fitoi duelin direkt ndaj Washington Wizards në “TD Garden” me rezultatin e thellë 118-100.

Një ndeshje e ekulibruar në pjesën e parë me Washington që shkoi në pushim në avantazhin e dy pikëve. Por skuadra kryeqytetase u dorëzua pa kushte në fraksionin e dytë të lojës të cilin e humbi me 20 pikë diferencë, për meritë edhe të Jason Tatum i cili ishte thjeshtë monstruoz duke e mbyllur ndeshjen me 50 pikë 8 rebound dhe 4 asistime.

Një dorë në këtë sukses të rëndësishëm Bostonit ia dha edhe Kemba Walker autor i 29 pikëve, ndërkohë që në krahun tjetër 22 pikët e Bradley Beal dhe 20 të Rusell Westbrook ishin të pamjaftueshme që Wizards të regjistronin një rezultat pozitiv në këtë sfidë. Bostoni pas këtij triumfi tashmë do të sfidojë në raundin çerekfinal në Lindje, Brooklyn Nets një nga skuadrat favorite për titullin në këtë sezon, ndërkohë Washington pavarësisht humbjes do të ketë edhe një shans tjetër për të qenë pjesë e fazës finale të “play-off”-it pasi do të përballet në betejën për vendin e 8-të me Indiana Pacers. Skuadra nga Indianapolis bëri një paraqitje mbresëlënëse në sfidën ndaj Charlotte Hornets duke fituar me rezultatin e thellë 144-117. Indiana zgjidhi gjithçka që në pjesën e parë, fraksion të cilin e mbylli në avantazhin e 24 pikëve.

Kanadezi Brisset me 23 pikë dhe McDermott me 21 pikë ishin dy basketbollistët më të mirë mbi parket për Indianën që tashmë duhet të masë forcat me Washington në transfertë për të siguruar biletën për në fazën finale “play-off” aty ku e pret Philadelphia 76ers. /Supersport/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar seanca e pestë për ecurinë e çështjes ndaj…