Çfarë duhet të dëgjosh, për të qenë gati për qeverisje?

20 shtator 09:07

Përktheu: Bajram Karabolli

Një ditë, Kajani, biri i mbretit Soroi, u zgjua me mendjen top se duhej të qeveriste. Menjëherë shkoi tek i ati, mbreti, dhe i tha: “Baba, dua të qeveris, tashmë jam mjaft i rritur dhe besoj se ka ardhur koha të më japësh disa provinca për t´i qeverisur unë, kësisoj, të përgatitem që një ditë ta qeveris unë mbretërinë tënde.”

I ati, pasi ia nguli sytë mirë, i tha: “Mirë, por në fillim duhet të bësh diçka: shko në pyll dhe dëgjo me kujdes, pasi të kesh dëgjuar çdo gjë, eja të flasim.”

Ashtu bëri Kajani, të nesërmen në mëngjes shkoi në pyll. Kur u err, erdhi tek i ati dhe i tha: “Baba, tërë ditën kam ndenjur në pyll dhe kam dëgjuar këngët e zogjve të ndryshëm. Ishte vërtet një përvojë mjaft e vlefshme.”

I ati e pa me vëmendje dhe i tha: “Ende nuk ke dëgjuar gjë. Shko në pyll dhe, pasi të kesh dëgjuar mirë, eja.”

Të nesërmen, Kajani u drejtua përsëri për në pyll dhe kësaj radhe e kaloi gjithë natën në pyll. Kur u kthye tek i ati, i tha: “Baba, veç zogjve, kam dëgjuar lloj-lloj kafshësh të ndryshme që banojnë në pyll. I kam dëgjuar kur bërtisnin, kur gjuanin, kur hanin, kur çiftoheshin dhe kur flinin.”

I ati i vuri dorën mbi sup dhe i tha: “Ende nuk i ke dëgjuar mir, o bir. Ktheu prapë në pyll dhe dëgjo me kujdes, pastaj eja.”

Dhe Kajani u kthye përsëri në pyll. Kaluan shumë orë dhe Kajani nuk po kthehej. Kaluan ditë dhe ai prapë nuk po dukej U shqetësua gjithë oborri mbretëror, përveç mbretit që qëndronte i qetë. E tërë mbretëria qante për zhdukjen e princit, vetëm mbreti përsëri qëndronte i qetë. Pasi kaluan muaj, askush nuk u kujtua më për Kajanin.

Një ditë, në rrethinat e pallatit mbretëror, u pa të afrohej një njeri i veshur keq, i zbathur dhe me ca flokë të gjatë e të pistë, tamam si një lypës. Ky njeri u afrua ta rojet e pallatit dhe tha: “Dua të takoj mbretin.” Kur i thanë mbretit për atë vizitor të çuditshëm, ai urdhëroi që t´ia sillnin për takim. Pas flokëve të gjatë e të pakrehur, mbreti dalloi shkëlqimin e syve të të birit dhe i tha: “Hë bir, çfarë ke dëgjuar më?”

“Kam dëgjuar dridhjen e petaleve para se të lulëzonin, rënkimin e tokës kur mbi të bien rrezet e para të diellit, mërmërimën e milingonave kur merren vesh dhe kur nuk merren vesh me njëra-tjetrën…”

“Kaq, mjafton” – e ndërpreu mbreti. “Tani që di të dëgjosh edhe ato që nuk dëgjohen, do të dish të dëgjosh gjithë hallet e popullit. Eja, bir, të qeverisësh.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Semezdin Mehmedinović Përktheu: Fadil Bajraj Në këtë moment, shoh një…