Clintoni: Forumi për gratë, konfirmim i vendosmërisë për barazi gjinore në vendimmarrjen politike në Kosovë dhe botë

15 prill 2024 | 12:03

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka marrë pjesë me një video-adresim në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Clintoni e ka përgëzuar presidenten Vjosa Osmani për organizimin e këtij forumi, të cilin e ka konsideruar si konfirmim i vendosmërisë për ta forcuar pjesëmarrjen e grave dhe për balancë gjinor.

“Ky forum është një konfirmim thelbësor i vendosmërisë sonë që të shumëfishojmë zërat e grave, ta forcojmë pjesëmarrjen e grave në të gjitha fushat e jetës dhe të sigurojmë një balanc gjinor në paqen dhe vendimmarrjen politike në Kosovë dhe gjithandej botës”.

“Mua më kujtohet mirë vizita që kam bërë në kampet e refugjatëve në Maqedoni kur kam qenë Zonja e Parë e ShBA-së dhe duke dëgjuar kosovarët që ishin larguar të më tregojnë rrëfimet e masakrave, etj. Pas kësaj, ne bëmë thirrje në NATO që ta ndalë këtë spastrim etnik. Pas kësaj, udhëtuam në Kosovë dhe takuam njerëz që rindërtonin jetët e tyre”, ka thënë ajo.

Si sekretare e Shtetit e ShBA-së, Hillary Clinton, ka thënë se e kishte ndjekur nga afër progresi drejt ruajtjes së paqes.

“Si sekretare e Shtetit kam ndjekur dhe mbështetur progresin që është arritur drejt ruajtjes së paqes. Ajo paqe nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, veçanërisht tani derisa tensionet në rajonin e Ballkanit janë duke u përshkallëzuar, me vazhdimin e luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë…”, ka thënë ajo.

Prandaj, Clintoni ka thënë se “forumet si ky janë shumë të rëndësishëm”.

“Jam e lumtur që do të punoni me Departamentin e Shtetit të ShBA-së për gratë, paqen dhe sigurinë”, ka thënë Clintoni.

Ajo ka thënë se “demokracitë tona janë më të fuqishme dhe më të qëndrueshme kur gratë përfshihen dhe kur trajtohen si të barabarta, dhe veçanërisht, kur gratë udhëheqin”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në Forumin për Gratë, Paqen…