Dajaku: E kemi obligim ta mposhtim edhe Lirinë

18 tetor 2018 | 17:18

Fitorja ndaj Flamurtarit në stadiumin “Fadil Vokrri” e ka “nxehur” edhe më shumë klubin e Drenicës për të kërkuar tri pikë edhe në ndeshjen ndaj Lirisë.

KF Drenica e mposhti, në kuadër të xhiros së dhjetë në IPKO Superligë, Flamurtarin e Prishtinës, klub i cili është vlerësuar si befasia e deritanishme e këtij kampionati të futbollit. Futbollisti kuqezi Taulant Dajaku, që ishte shënues i golit të parë, është shprehur mjaft i kënaqur me atë që ka shfaqur Drenica në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”. “Ishte një ndeshje shumë e mirë nga ana jonë. Kjo u mundësua nga një fushë shumë e mirë si ajo e Prishtinës”, ka thënë Dajaku, i cili është treguar modest, duke mos thënë fjalë të shumta për fitoren bindëse ndaj Flamurtarit (0-3).

Skuadra e Drenicës ka pësuar shumë ndryshime gjatë afatit kalimtar të verës si në shtabin teknik, po ashtu edhe në radhët e futbollistëve. Vlen të veçohet largimi i mesfushorit Dugagjin Gashi dhe sulmuesit kryesor Genc Hamiti. Por edhe përkundër këtyre ndryshimeve, kuqezinjtë po tregohen të fortë në këtë edicion garash dhe deri tash kanë grumbulluar 15 pikë në elitën e futbollit. “Në këtë kampionat jemi duke ecur mirë, edhe pse kemi lëshuar disa pikë kur kemi luajtur si vendës. Besoj se ekipi po shkon drejt konsolidimit dhe në ndeshjen e ardhshme do të shfaqim lojëra edhe më të mira”, ka shtuar ai.

Ndeshjen e radhës Drenica e zhvillon si vendëse ndaj Lirisë në Skenderaj, kurse lidhur me këtë ndeshje, Dajaku ka thënë se fitorja është obligim për skuadrën e tyre. Mesfushori që është një nga lojtarët me përvojën më të madhe ka kërkuar nga shikuesit ta mbushin stadiumin në mënyrë që marrja e tri pikëve të jetë më e lehtë. “Ndeshja e radhës do të jetë shumë e vështirë, pasi jemi të obliguar të fitojmë. Kjo do të ishte e vetmja formë për të treguar dhe vlerësuar pikët e marra ndaj Flamurtarit. Dua të besoj se stadiumi ynë do të jetë plot me tifozë në mënyrë që ekipi ta jap më të mirën dhe ta marrë fitoren e radhës”, ka përfunduar Dajaku.

Klubi i Drenicës në dhjetë ndeshjet e zhvilluara ka grumbulluar pesëmbëdhjete pikë, duke regjistruar katër fitore, tri barazime dhe tri humbje.

/Veton ZYMBERI/  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zaimina Vasjari së fundi, ka publikuar një imazh në llogarinë…