“Dardanët” me këmbë në tokë, fokusi tek Azerbajxhani
Trajneri zviceran i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, e vlerëson përballjen ndaj Azerbajxhanit si një finale për “Dardanët”.
“Kur e kam parë shortin dhe programin e ndeshjeve për Ligën e Kombeve e kam menduar se ndeshja me Azerbajxhanin do të jetë finale. Jam i kënaqur që kemi ardhur deri te ky çast sepse tani kemi mundësi të shohim realisht se çfarë cilësish kemi. Më vjen mirë që kjo ‘finale’ do të zhvillohet në Prishtinë para një publiku të zjarrtë”, ka thënë Challandesi.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar formën e mirë në këtë vit, pasi ka shënuar fitore bindëse ndaj Maltës (0-5) dhe në këtë mënyrë e ka vazhduar dominimin në grupin e tretë të Ligës D.
Pavarësisht prej fitores bindëse na Valleta, përzgjedhësi Bernard Challandes e vlerëson përballjen ndaj Azerbajxhanit si një finale për “Dardanët”. “Kur e kam parë shortin dhe programin e ndeshjeve për Ligën e Kombeve e kam menduar se ndeshja me Azerbajxhanin do të jetë finale. Jam i kënaqur që kemi ardhur deri te ky moment sepse tani kemi mundësi të shohim çfarë cilësish kemi. Më vjen mirë që kjo ‘finale’ do të zhvillohet në Prishtinë para një publiku të zjarrtë”, ka thënë Challandes, i cili është i kënaqur me mënyrën se si luajti dhe luftuan futbollistët e Kosovës ndaj Maltës, por edhe me numrin e golave të shënuara.
Sulmuesi Vedat Muriqi, që ishte golashënues në fitoren bindëse ndaj Maltës, ka thënë se Kosova e bëri detyrën në atë ndeshje, por duhet kujdes për faktin se të martën i pret një ndeshje aspak e lehtë. “Ne e bëmë detyrën tonë, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi të martën na pret ndeshja vendimtare me Azerbajxhanin që ka një ekip shumë të mirë”, ka deklaruar Muriqi.
Suksesin e arritur në Maltë e ka përshëndetur edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
“Stadiumi ‘Te Qali’ në La Valleta do të mbetet gjatë në kujtesën tonë dhe të gjithë tifozëve tanë, pasi aty djemtë tanë regjistruan fitoren më bindëse në historinë e re të futbollit të Kosovës. Po kjo fitore bëri që të vazhdojë ëndrra e secilit prej nesh, një pjesë të së cilës duhet ta jetësojmë të martën në mbrëmje në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ me përkrahjen e tifozëve tanë të zjarrtë, ‘Dardanët’, në përballjen kundër Azerbajxhanit”, ka thënë Ademi.
Kosova të hënën pasdite e zhvillon stërvitjen e fundit para ndeshjes që e zhvillon të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.
Grupi 3 – Liga D
1. Kosova 11 pikë
2. Azerbajxhani 9
3. Ishujt Faroe 4
4. Malta 2
/Epoka e re/