De Biasi pendohet për Gjimshitin: Po, mund ta kaloni grupin e finaleve të ‘Euro 2024’

27 nëntor 2023 | 15:38

Hyri në historinë e kombëtares shqiptare si trajneri i parë, i cili i udhëhoqi kuqezinjtë drejt finaleve të “Euro 2016”. Një sukses historik, për të cilin u konsiderua “hero”, mori krejt nderimet e mundshme nga vendi ynë, kujtohet edhe sot me mjaft vlerësim.

Fjala e tij kërkohet rregullisht kur është puna për kombëtaren shqiptare, të cilën e drejtoi 7 vite. Tashmë, kur suksesi i tij po përsëritet, sepse Shqipëria është kualifikuar për së dyti në finalet e një Kampionati Europian (“Gjermania 2024”), Gianni de Biassi uron me shpirt që kuqezinjtë të kenë një short sa më të mirë më 2 dhjetor, teksa nënvizon bindjen se mund ta kalojmë fazën e grupeve në finalet e “Euro 2024”.

Në intervistën e dhënë për “Euronews Albania”, ai tha se i vjen keq që e la jashtë listës së kombëtares së “Euro 2016” mbrojtësin Berat Gjimshiti, tashmë kapiten i kuqezinjve: “Nga 2016 deri më sot kanë kaluar 7 vite, secili lojtar ka marrë shumë eksperiencë. Isha unë që e sinjalizova të shkonte tek Atalanta.

Më vjen keq që e lashë jashtë finaleve të Evropianit më 2016, por nuk kishte luajtur shumë. Miku im, që ishte drejtor i Atalantës, më tha nëse nuk luan rregullisht, si do ta merrni. Pati debat mbi përzgjedhjet e mia në Evropian. U përpoqa të merrja ata që ishin më mirë dhe kishin luajtur më shumë në ndeshjet më përpara.

Duhet të kemi parasysh se Gjimshiti sot është 29 vjeç, atëherë ishte vetëm 22. Asokohe ishte djalë i ri, sot me eksperiencë. Në Itali kishte shkuar si fillestar, sot është lojtar i afirmuar, që ka treguar cilësitë e tij. Ta krahasosh me 7 vite më parë është diçka komplet tjetër”.

Heziton të thellohet, kur i kërkohet të krahasojë atë që nuk e bëri dot bashkatdhetari i tij, Edy Reja, por e arriti më pas Sylvinho, e cila kulmoi me kualifikimin në finalet e “Euro 2024”: “Çfarë bëri Sylvinho, që nuk u pa te Reja? Është e vështirë për t’u vlerësuar. Nuk e kam parë si kanë punuar Sylvinho apo Reja, nuk kam qenë i pranishëm.

Është e vështirë të them pse Reja nuk ia doli dhe Sylvinho po. Shqipëria mund të ketë shanse për ta kaluar grupin në finalet e Europianit të Gjermanisë, shpresoj që më 2 dhjetor të ketë short pozitiv. Shqipëria ka luajtur në grupe të vështira me Serbinë, Italinë dhe Spanjën. Ia uroj me gjithë zemër ta kalojë fazën e grupeve.

Në teori, Shqipëria mund të përballet me Italinë dhe kjo do të ishte sfidë e vështirë. Nëse ka fatin e keq të përballet me skuadra si Franca apo Anglia, do ta ketë edhe më të vështirë. Megjithatë, gjithçka që do të bëjë në Evropianin e vitit të ardhshëm do të jetë sukses. Shqipëria ka lojtarët kryesorë, ka grup djemsh që merren vesh mirë. Keni Armand Dukën, që është zëvendëspresident i UEFA-s”.

De Biassit i përflitet emrin për stolin e kombëtares së Kosovës, teksa shprehet i hapur për këtë mundësi: “Duke qenë se Presidenti i Federatës së Kosovës e di numrin tim të telefonit, sepse në të kaluarën kemi kontaktuar shpesh, mund të bisedojmë. Do të isha i nderuar të bëja të njëjtat gjëra si me Shqipërinë.

Kosova ka shumë cilësi dhe besoj janë kushtet për të punuar mirë. Gjithçka varet dhe nga fakti i përbërjes së grupit. Duhet ngritja e një grupi kompakt, për mendimin tim arritja e objektivave është e mundur. A jam kontaktuar nga drejtuesit e FFK? Deri tani jo”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në…