Dëmtohet antena e Telekomit në veri, për disa orë policët mbetën pa komunikim

19 mars 2024 | 23:13

Antena e Policisë së Kosovës që gjendet në fshatin Melenicë të Mitrovicës është dëmtuar nga persona të paidentifikuar. Dukagjini ka mësuar nga burime të afërta me zhvillimet, se për disa orë zyrtarët e Policisë në veri kanë pasur probleme në komunikim me radiolidhje, telefona dhe internet. Prokuroria Speciale ka nisur hetime.

Antena e radio komunikimit në fshatin Melenicë të Mitrovicës, e cila gjendet në kufi me Komunën e Zveçanit ka qenë cak i disa personave të panjohur rreth orës 20:30 të hënën.

Ata dëmtuan këtë pajisje të infrastrukturës kritike për institucionet e sigurisë, derisa janë shkëputur edhe kabllot furnizuese të rrymës.

Dukagjini ka marrë vesh jo zyrtarisht se ky dëmtim për së paku dy orë kishte shkaktuar vështirësi në komunikimin me radiolidhje ndërmjet policëve dhe po ashtu edhe në lidhjet telefonike, sidomos në zonën e veriut të vendit.

Siç ka mësuar televizioni, riparimi i dëmtimeve në këtë antenë është bërë rreth orës 23:00.

Rastin, zyrtarisht e ka konfirmuar Policia.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, dhe sipas udhëzimeve të tij, rasti kualifikohet nxitje e urrejtjes dhe përqarjes”.

E, rruga që është dashur të përshkohet për të arritur në këtë zonë malore nuk ishte aq e lehtë.

Për të arritur në këtë lokacion, dikujt nga Mitrovica i duhen diku rreth 18 km.

Dukagjini ka komunikuar me Policinë në Mitrovicën e Jugut, por ajo ka thënë se rastin e ka në dorë departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Ndërsa, nga Prokuroria e Mitrovicës thanë se me rastin po merret edhe Prokuroria Speciale.

Asnjëra nga këto institucione nuk kanë dhënë më shumë detaje për këtë rast.

Në ndërkohë, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi po thotë se kjo ndërhyrje në atë antenë të Policisë nuk është kryer nga persona me aftësi amatore.

“Ky është një problem i vogël teknik për organet e specializuara nëse dëshirojnë të ndërhyjnë në rrjetin e komunikimit të dikujt tjetër, sidomos ushtria serbe i ka të sofistikuara këto ndërhyrje. Duhet kuptuar që nuk është akt i personave të rëndomtë por është një akt i personave të kualifikuar që e kanë bërë këtë punë”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, mungesa e komunikimit mes pjesëtarëve të Policisë për disa orë, mund të sjellë pasoja që eventualisht mund të kuptohen.

“Ajo çka është e rëndësishme është se kjo është një diversion përmes së cilit kanë mundur të shkaktohet rrezik i përgjithshëm për arsye se mungesa e sinjalit të komunikimit për Policinë mund të ketë pasoja të mëdha”, ka shtuar Kajtazi.

Kjo antenë gjatë së martës është ruajtur nga zyrtarë të Policisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ballkanit sot ka pasur vizitorë të rëndësishëm. Zyrtarë…