Deputetët do të provojnë sërish zgjedhjen e presidentit
Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë të dielën seancën për zgjedhjen e presidentit të vendit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë të shtunën se seanca do t’i vazhdojë punimet më 4 prill në orën 17:00.
Të shtunën, për shkak të mungesës së kuorumit në votim, Kuvendi nuk ka arritur ta zgjedh presidentin e vendit.
Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmani- Sadriu, ndërsa kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.
Raundi i parë i votimit është përsëritur dy herë, pasi në votim nuk kanë marrë pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.
Në këto dy votime kanë marrë pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.
Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.
I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.
Të pranishëm në sallë në seancën e së shtunës ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Por, tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk kanë marrë pjesë në këtë proces.
Deputetët e tjerë të AAK-së, të PDK-së dhe të Listës Serbe, i kanë bojkotuar punimet e kësaj seance.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), kërkon nga subjektet politike që të përfshihen në konsultat e nevojshme, në funksion të arritjes së konsensusit për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit, shkruan “Rel”-i.
“Në një situatë të tillë pandemike, me probleme të shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët, zgjedhjet nuk duhet të shihen si opsion nga asnjë prej subjekteve politike”, është thënë në reagimin e KDI-së.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë” ka thënë se me procesin i cili është duke ndodhur në votimin e zgjedhjes së presidentit të vendit, Kosova është duke hyrë në një krizë të panjohur kushtetuese.
“Pas datës 5 maj Kuvendi i Kosovës, nuk mund të mblidhet dhe më pas të njëjtit do t’i skadojë në një formë mandati kushtetues, pasi që do të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nëse deri më 5 maj nuk zgjidhet presidenti, atëherë do të futemi në një terr kushtetues për shkak se nuk do të kemi institucion që do t’i thërrasë këto zgjedhje”, ka thënë Cakolli.
Sipas tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nuk mund të ushtrojë më detyrën e ushtruesit të presidentit, ndërkaq kuvendi dhe qeveria nuk kanë të drejtë kushtetuese për t’i shpallë zgjedhjet duke u ftuar në një krizë më të panjohur kushtetuese.
“Mbi të gjitha nuk do të kemi institucione që mund të sfidojë këtë çështje në Gjykatën Kushtuese për shkak se Kuvendi do të mbetet pa mandat. President nuk do të kemi ndërsa qeveria nuk ka të drejtë të sfidojë çështjen në Gjykatë Kushtetuese lidhur me kompetencat e institucioneve tjera”, ka thënë Cakolli.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.



