Deputeti Lushtaku kërkon lejimin e importit të veturave më të vjetra se 10 vjet, Oda Amerikane kundër

08 mars 2024 | 14:08

Në tryezën e diskutimit rreth nismës ligjore lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, iniciuar nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane dhe ekspertë të komunikacionit ishin kundër heqjes se kritereve për importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet, kjo për arsye siç janë shprehur ata të ruajtjes së mjedisit në vend.

Ndonëse, deputeti Lushtaku gjatë arsyetimit të kësaj nisme ligjore, ka theksuar se në asnjë vend të Evropës nuk ka kufizim të importit të veturave me dhjetë vjet.

Ai ka thënë se në vendet evropiane ka vetëm standard të “euro diesel 4”, duke shtuar se janë edhe për ruajtjen e ambientit në Kosovë.

“Te pjesa e vjetërsisë së veturave në Kosovë sigurisht që është e vjetër dhe besoj që kjo do t’i kishte mundësuar qytetarëve që nëse e ka një veturë 2005, ta blen një veturë të vitit 2007-2008 për shkak të standardit ekonomik, por gjithmonë duke ruajtur ambientin, sepse edhe fokusi im si deputet nuk është vetëm të kursehet xhepi i qytetarëve, por në të njëjtën kohë të kemi një ambient ku edhe ne i rrisim familjet tona në Kosovë”, ka thënë Lushtaku.

Në këtë tryezë janë trajtuar me fokus të veçantë nenet (44 dhe 63) ku përcaktohen kriteret për importin e veturave dhe ndërrimin e pronësisë.

Nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Vesa Sahatçiu, ka thënë se qëndrimi i kësaj ode mbetet që nuk mund të importohen vetura më te vjetra se dhjetë vjet, për shkak të ruajtjes së ambientit.

Edhe përfaqësues nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, kanë pasur mendim të njëjtë sikur ajo Amerikane. Ndërsa, për këtë qëndrim të odave, deputeti nga PDK-ja, Lushtaku ka sfiduar këto oda se nëse ka ndonjë shtet në Evropë, do ta tërheqë këtë nismë ligjore.

Kurse eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi, ka thënë se e kupton shqetësimin e deputetit Lushtaku, por ka thënë se Kosova nuk duhet të bëhet deponi lëvizëse e mjeteve motorike.

Iniciativa e Lushtakut ka gjetur përkrahje nga Shoqata e Kontrolleve Teknike në Kosovë. /KP

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia nuk është tërhequr kurrë nga Moldavia, thotë për Radion…