Drita ‘harron’ titullin, fokusi në Kupë

05 dhjetor 2018 | 19:45

Duket se Drita përfundimisht ka hequr dorë për ta mbrojtur titullin e kampiones në Superligë. Betim Haxhimusa ka thënë se fokusi i klubit do të jetë në garën e Kupës. “Askush në klub nuk është i kënaqur me atë që kemi treguar në sezonin vjeshtor. Ende jemi brenda objektivit të klubit, pasi jemi në garën e Kupës ku do të kemi përqendrim maksimal”, ka thënë Haxhimusa.

Kampionia aktuale e Kosovës në futboll, Drita nga Gjilani, e ka mbyllur sezonin vjeshtor me humbje nga Prishtina (2-0) dhe larg pritshmërive që kishte në fillim të kampionatit. Drita përfundoi e gjashta me 23 pikë, 17 pikë larg vendit të parë në renditjen tabelore. Një nga lojtarët më të mirë në klubin gjilanas, Betim Haxhimusa, ka thënë për “Epokën e re” se askush në klub nuk është i kënaqur me rezultatet e arritura në sezonin vjeshtor, por e mira e gjithë kësaj, sipas tij, është fakti se skuadra që drejtohet nga Shpëtim Duro ende është brenda objektivit të klubit. “Askush në klub nuk është i kënaqur me atë që kemi treguar në sezonin vjeshtor. Ende jemi brenda objektivit të klubit, pasi jemi në garën e Kupës ku do të kemi përqendrim maksimal”, ka thënë Haxhimusa.

Skuadra e Dritës në kuadër të 1/8 së finales në Digitalb Kupën e Kosovës në futboll do të përballet të shtunën nga ora 12:30 me fituesin e ndeshjes Minatori-2 Korriku.

Betim Haxhimusa, që iu bashkua Dritës në afatin kalimtar të verës nga Gjilani, ka treguar formë të mirë me fanellën e Dritës, duke qenë golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre, por edhe ndër lojtarët që ka shënuar më së shumti në elitë. Haxhumusa është i treti në listën e shënuesve me shtatë gola, dy gola më pak se Alban Shillova që është lider. “Në aspektin personal kam pasur paraqitje të mirë, por kam munguar në shumë ndeshje. Kam besim se deri në fund të kampionatit do të arrij të jem i pari në listën e golashënuesve në Superligë”, ka deklaruar ai.

Drita në edicionin e kaluar tregoi performancë të jashtëzakonshme duke u shpallur kampione në elitën e futbollit të Kosovës, pas 15 vjetëve.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Endrit Shala, ka…