Duka akord me Rejan për stolin e Kombëtares, në skenë edhe Hasi

27 mars 2019 | 10:29

Shkarkimi i Kristian Panuçit nga posti i trajnerit të Kombëtares shqiptare, ka bërë që për pasuesin e tij të dalin në skenë një sërë emrash dhe alternativash.

Së fundmi, ish-kapiteni i Kombëtares, Besnik Hasi është shfaqur si një prej alternativave që mund të pasojnë italianin në pankinën e kuqezinjve. Mirëpo, burime të besueshme për “Panorama Sport”, kanë bërë me dije se 73-vjeçari Edoardo Reja, ka arritur një akord paraprak për të marrë drejtimin e Shqipërisë.

Ish-mesfushori i shquar është një alternativë serioze për të marrë drejtimin e Kombëtares. Aktualisht ai drejton skuadrën e Al-Raed në Arabinë Saudite, por i skadon kontrata në maj. Hasi vazhdimisht ka shprehur dëshirën për stolin kuqezi, ndërkohë që në karrierën e tij ai ka fituar titullin si trajner me Anderlehtin dhe ka drejtuar më pas edhe Olimpiakosin dhe Legian e Varshaves.

Hasi ishte një prej kandidatëve kryesorë edhe në momentin kur u largua De Biazi, mirëpo përgjigjja e tij në atë periudhë ishte negative, duke qenë se nuk arriti të kishte mirëkuptimin e Anderlehtit. Ndaj, një përgjigje e tillë në atë periudhë mund të ketë ndikim negativ në këtë moment.

Deri në momentin e prezantimit apo njoftimit të fundit zyrtar nga FSHF se cili do të jetë trajneri i ri i Kombëtares, ekziston mundësia që vendi të jetë vakant, por “Panorama Sport” ka mësuar se trajneri i ri i Kombëtares është piketuar. Nga burime të besueshme të njerëzve që kanë informacione të sakta rreth çështjes, gazeta ka mësuar se trajneri italian, Edoardo Reja, ka arritur një akord verbal për të marrë drejtimin e Kombëtares.

Gjithçka ka ndodhur në “shtëpinë e Skënderbeut”, ku edhe ka qëndruar ekipi kombëtar i grumbulluar. Jo vetëm kaq, por të njëjtat burime kanë bërë me dije për gazetën se gjatë mbrëmjes së djeshme ka pasur një tjetër bisedë të presidentit Duka me trajnerin për të diskutuar edhe detaje të marrëveshjes, çështjeve që kanë të bëjnë me drejtimin e Kombëtares dhe shumëçka tjetër.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i përgjithshëm i AAC-së, Eset Berisha, me bashkëpunëtorë, ka…