Poezi nga poeti Fahredin Shehu

12 shkurt 12:11

DURIMI

Pashë shumë besimtarë në stacion treni
ata që më shumë i besojnë itinerarit të kompanisë
sesa ata që në kisha dhe xhamia i luten Zotit
t’ua sjellë një biçikletë për çunin parashkollor
dhe ata të cilët i besojnë vetes
më shumë se hijes që s’u ndahet
as atëherë kur nata erret e dita mbushet grindje

KRENARIA

Pështjellur me renë e krenarisë
nxora një bankënotë
në dorë ia lëshova lypsarit
bora kishte mbuluar acarin
akullin nën këmbët e mia
aromë gështenjash të pjekura në shesh vinte
rrëshqita dhe rashë pa thyer gjymtyrë
e prisja këtë shpërblim për mirësinë e bërë
mendja kujtonte se kishte dhënë dora e majtë

PËRBUZJA

Kur i përbuzuri shumëvjeçar
parakalon në oborrin e universitetit
në ditën e dhjetë të javës
vëren në skaj të bankës së parkut
i heshtur plaku bën sehir
nuk është lypsar
as lexon gazeta e loz shah pensionistësh
vetëm vështron sytë e studentëve
mos vallë do të gjejë ndonjë pasqyrë të pathyer
një i ri iu afrua me një torbë
përplot libra dhe një zemër të tillë
desh e ndau përgjysmë një sandviç tune
plaku buzëqeshi dhe e përkëdheli

MODESTIA

Veshur me petka më të reja
dhe zemra të njoma me hir
si njomet fyti i lutësit në orët e vona të natës
vashat nuk shikojnë vërdallë
as dorë as fytyrë e as sy shejtani
kokulur parfumojnë flokët
e nënave shtatzëna – krenare
se në këtë botë do të sjellin
engjëj të ri me shpresën
se nuk do të djallëzohen
në të përqafuar u turpëruam
si nuk gjetëm pak buzëqeshje edhe për ta

FISNIKËRIA

Në gjakun e kuq
ku burri dhe gruaja dhe fëmijë të lindur
të pastër nga njollat e së ligës
dhe nga vrragët që ato lënë pas
kush fal është i fortë
kush harron të ligën jeton në paqe
thoshte gjermani i urtë

FAHREDIN SHEHU

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) mbështetur nga  Deutsche…