Dy qeveritë dakordohen që qarkullimi në kufirin Kosovë-Shqipëri të bëhet pa ndalesë

26 nëntor 2021 | 11:28

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Blendi Çuçi, ka thënë se para sezonës së verës së ardhshme qarkullimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet pa ndalesë në kufi.

Çuçi në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, ka thënë se kanë rënë dakord me homologun e tij, Xhelal Sveçla që të vendosin një sistem kamerash në kufi dhe makinat të qarkullojnë pa ndaluar fare.

“Nga ana tjetër, nuk është pjesë e marrëveshjes por me kërkesë të kryeministrit të Shqipërisë dhe Kosovës, kemi marrë masat dhe nuk do të presim sezonin e verës sidomos në pikën kryesore të kalimit mes vendeve tona, kemi rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë çdo gjë për sa i përket identitetit të makinës që kalon përmes leximit të targës dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojë fare të ndalojë në kufi. Kemi bërë edhe planin e punës dhe do të jetë shumë më shpejt sesa fillimi i sezonës”, ka thënë ai.

Më tutje, ai ka thënë se gjatë fundjavës së festave të nëntorit s’do të ketë kontrolle në kufirin Kosovë-Shqipëri.

“Kemi dhënë porosi që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë në qarkullim gjatë festës së 28 nëntorit. Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar se ne jemi dy shtete të ndryshme”, është shprehur ministri shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar letër ministrit…