“ë”, romani që ngre një lapidar letrar
Lulëzim ETEMAJ
Romani “ë” i Jehona Kicajt është një rrëfim i fuqishëm i një vajze të re shqiptare, familja e së cilës është detyruar të largohet nga Kosova dhe të vendoset në Gjermani para shpërthimit të luftës. Rrëfimi fillon në një mënyrë fare të zakonshme, me një vizitë tek dentisti, ku protagonistja diagnostikohet me Bruxismus, që karakterizohet nga ngërçi dhe tensioni i nofullave që e shoqërojnë vazhdimisht. Ky detaj duket të jetë i vogël, por në fakt ai i shërben autores si metaforë krejt e veçantë dhe origjinale për të ndërtuar tërë rrëfimin. Kërkimi i përgjigjes për stresin, tensionin dhe dhimbjen fizike ndërthuret me kërkimin e përgjigjeve për traumën, identitetin kulturor e etnik si dhe kujtesën.
I shkruar në vetën e parë, libri trajton jetën në mërgim, përballjen me paragjykimet e shumta në një hapësirë dhe botë të huaj, të cilat e shoqërojnë procesin e integrimit, si dhe përjetimet e protagonistes gjatë vizitave në Kosovë para dhe pas luftës.
Titulli “ë”, një shkronjë karakteristike kjo e shqipes, shndërrohet në simbol të gjuhës, të përkatësisë dhe të zërit të ndruajtur apo dhe të ndrydhur, që rrezikojnë të humben, prandaj protagonistja lufton për t’i mbrojtur e ruajtur ato përmes kujtesës dhe rrëfimit. Në këtë mënyrë, dhimbja e trupit (ngërçi i nofullave) dhe dhimbja e kujtesës ndërthuren në mënyrë poetike dhe të ndjeshme.
Një nga shtyllat më të rëndësishme të romanit është mënyra se si lufta e Kosovës rikthehet, jo si kujtim i drejtpërdrejtë i përjetimit të tregimtares, por si një traumë e trashëguar familjare dhe e përgjithshme. Jashtëzakonisht i fuqishëm, njëkohësisht dhe përplotësues i mozaikut të pasur artistik të romanit, është rrëfimi i forenzistës që ka marrë pjesë në identifikimin e viktimave shqiptare të krimeve gjenocidare serbe. Duke qenë pjesëmarrëse në identifikimin e viktimave edhe në Ruandë, ajo vëren se, për dallim prej andej, autorët e krimeve në Kosovë e dinin se eshtrat mund të flasin. Prandaj u përpoqën t’i zhduknin me çdo kusht.
Sa shumë art, të mbështjellë me dhimbje, ka në skenën kur ajo kujton intervistën me një gazetare shqiptare që, para kamerës, mbante një bluzë të kuqe fëmije dhe rrëfente për një djalë të zhdukur në luftë, trupin e të cilit e gjetën vite më vonë në një varr masiv në Serbi. Nën logon e Nike-s, bluza mbante mbishkrimin tronditës: Run for your life.
Përmes këtij rrëfimi, romani ngrihet në nivelin e një lapidari letrar për shqiptarët që u helmuan, u përzunë nga Serbia prej vendeve të punës, që u zhdukën, mes të cilëve edhe gjyshi i autores, u dhunuan, u vranë e u masakruan nga forcat serbe. Ai bëhet një lapidar lëvizës që përfaqëson zërin e këtyre viktimave, të cilat ende kërkojnë drejtësi, kërkojnë të mos harrohen dhe kërkojnë njëkohësisht dhe pandërprerë një gjykim të qartë të gjenocidit serb të kryer nga Serbia ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Ky dimension i jep romanit një peshë të fuqishme etike përtej vlerave të tij artistike.
Pikërisht për këtë arsye, “ë” është një libër i rëndësishëm për t’u lexuar, si nga shqiptarët, ashtu edhe nga të huajt. Për shqiptarët, ai ofron një pasqyrë intime të traumave individuale dhe kolektive të luftës dhe të përpjekjes për të ruajtur identitetin dhe rindërtuar vendin e tyre, Kosovën, pas çlirimit. Për të huajt, ai është një dritare e qartë dhe artistikisht e rafinuar drejt një realiteti të panjohur ose shpesh të keqkuptuar apo të anashkaluar në diskursin ndërkombëtar, qoftë ai medial, politik, diplomatik apo dhe kulturor. Romani arrin të pasqyroj përvojat e dhimbshme të një populli përmes një gjuhe universale emocionale, të kuptueshme për këdo.
Një vizitë e papritur e protagonistes në Kosovë, aq e papritur sa as Shpresa nuk e di, fillon me një çast të heshtur, ndërsa e vështron atë nga dritarja e kafenesë, që drejtohet nga një çift bashkëshortor amerikan, ku ajo punon dhe vërehet se në ndërkohë përgatit kafetë pas banakut dhe bën shaka me kolegët. Pastaj, përgjatë autostradës, shfaqet një poster gjigant në një kodër, poshtë të cilit shkruan: Liria ka emër: UÇK. Prishtina, e çuditshme në zbrazëtinë e saj, e shpie drejt skulpturës Newborn, ndërsa flamuri i Kosovës dhe i BE-së tundën së bashku në erë para ndërtesës qeveritare. Një mbyllje e lehtë, plot art dhe tinguj të brendshëm, që autorja i dhuron romanit.
Përkthimi dhe botimi i tij në shqip është shumë i rëndësishëm. Ai jo vetëm që sjell te lexuesit shqiptarë një vepër që flet për të kaluarën e tyre jo të largët, por gjithashtu e vendos romanin në qarkullim kulturor në mënyrën siç e meriton. Përmes shqipes, libri lidhet më fort me rrënjët e tij tematike: gjuha, identiteti, mërgimi, mungesa, lufta, vuajtja, sakrifica dhe kujtesa. Botimi në shqip shërben, po ashtu, si një akt i rëndësishëm rikthimi-një kthim simbolik i zërit në vendin nga ku ai u detyrua të ikte.



