“ECA” pezullon pa afat PAOK-un

15 mars 2018 | 11:34

PAOK-ut i jepet masa e parë ndëshkuese për ngjarjet e ndodhura në minutat e fundit të sfidës me AEK-un, kur pronari i skuadrës Ivan Savidis hyri në fushën e lojës me armë në brez.

Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Klubeve Evropiane të Futbollit (ECA) vendosi në mënyrë unanime ta pezullojë menjëherë klubin grek nga aktivitetet, vendim që u mor në bazë të statuteve të saj. Ka qenë vetë shoqata që e konfirmoi lajmin e pezullimit të PAOK-ut nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku theksohet se “ECA” është krijuar për ta mbrojtur integritetin dhe rregullsinë e kompeticioneve e ndeshjeve, ashtu sikurse edhe parimet dhe vlerat sportive mbi të cilat bazohet futbolli evropian.
Shoqata e Klubeve Evropiane bëri të ditur se pezullimi do të mbetet në fuqi deri në një vendim të dytë, që do të merret më 27 mars, kur do të zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e saj në Romë. Ndërkohë, gjatë javës së ardhshme do të mblidhet edhe Komisioni i Disiplinës i UEFA-s për t’i diskutuar incidentet e dhunshme që kanë ndodhur kohët e fundit në futbollin evropian. Por, jo vetëm kaq, pasi mësohet se do të zhvillohet edhe një takim me drejtuesit e Federatave angleze, franceze e greke, të cilave UEFA do t’u kërkojë marrjen e masave ndëshkuese drastike.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se…