EMNESA E MADHE DHE KONTEKSTI I SOTËM

08 mars 10:25

(Njëzet e tre vjet nga epopeja e familjes Jashari dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës)

Agim Vinca

E nderuara familje Jashari,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, U. d. Presidente Osmani, Kryeministër në detyrë Hoti; ministra, deputetë, kryetarë partish etj.
Zoti ambasador i Republikës së Shqipërisë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj!

Në historinë e njerëzimit rrallë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për lirinë e vendit. Sakrifica sublime e familjes Jashari, 23-vjetorin e së cilës po e shënojmë sot, është pothuajse rast unik në botë. Jo rastësisht, i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, francezi Bernar Kushner (Bernard Kouchner), me rastin e vizitës në Prekaz pothuajse menjëherë pas marrjes së detyrës së Kryeadministratorit të Kosovës, në korrik të vitit 1999, pati deklaruar: “Nëse do të ekzistonte çmimi Nobel për liri, ky çmim do t’i takonte familjes Jashari”.
Ka, siç dihet, Çmim Nobel për paqe, për ekonomi, për letërsi, për fizikë, për mjekësi, por ja që Doktor Kushneri jokonvencional, kur pa gjurmët e asaj që kishte ngjarë në Prekaz rreth një vit më parë, shfaqi idenë origjinale se do të duhej të kishte edhe çmim Nobel për Liri dhe se ky çmim, po të ekzistonte, do t’i takonte me siguri familjes Jashari.
Politikani francez, mund të mos e dinte se treva në të cilën vinte, ishte djep i kryengritjeve dhe se Adem Jashari dhe familja e tij e kishin vazhduar traditën e Shotë e Azem Galicës, të Ahmet Delisë e Shaban Polluzhës dhe të sa e sa luftëtarëve të tjerë, të denjë për penën e një Homeri, Dantje e Shekspiri.
Qëndresa qindvjeçare e popullit të Kosovës kundër pushtimit dhe robërisë, mori, në mars të vitit 1998, një përmasë të re, historike: atë të luftës finale për çlirimin e Kosovës nga zgjedha e robërisë.
Simbol i kësaj lufte u bë luftëtari trim, i thjeshtë sa edhe madhështor, të cilin një popull i tërë e thërret: “Komandanti legjendar”.
I dënuar me 20 vjet burg në mungesë, sikurse edhe disa shokë të tij, me akuzën për “terrorizëm”, Adem Jashari ndiqej në çdo hap nga viti 1991 e deri sa ra heroikisht në pragun e shtëpisë së tij, që ishte njëkohësisht edhe prag i Atdheut dhe portë e Lirisë.
Tri herë forcat serbe e rrethuan Prekazin dhe familjen Jashari, për ta arrestuar ose likuiduar “terroristin e rrezikshëm”, si e quanin ata Adem Jasharin, por secilën herë u kthyen me turp nga kishin ardhur. Pas rrethimit të dytë (22 janar 1998), të dështuar, sikurse edhe i pari (30 dhjetor 1991), Ademit dhe Hamzës, u qe ofruar, tërthorazi, edhe mundësia e arratisjes, por ata nuk ishin nga soji i atyre që i dorëzojnë armët.
Në vend të rrugës së lehtë, por të turpshme të largimit a, larg qoftë, të dorëzimit, zgjodhën rrugën e vështirë, por të lavdishme, të luftës dhe sakrificës, rrugë që e kishin zgjedhur me vetëdije të plotë dhe për të cilën qenë përgatitur vite me radhë.
Tri ditë zgjatën luftimet në Prekaz, tri ditë me radhë, më 5, 6 dhe 7 mars. Ishte një luftë tmerrësisht e pabarabartë, kundër një armiku numerikisht shumëfish më të madh e të armatosur gjer në dhëmbë, ku nuk mungonin as tanket e autoblindat, që granatonin pa pushim kullat dhe njerëzit.
Gjatë luftimeve treditore në Prekaz, ranë në altarin e lirisë të gjithë anëtarët e familjes Jashari, baca Shaban, nëna Zahide, gratë dhe fëmijët, me përjashtim të Besartës së vogël (11 vjeç), e cila, çuditërisht, mbeti gjallë si dëshmi e asaj që ndodhi: tmerrit, në njërën anë dhe heroizmit, në anën tjetër. Gjatë luftimeve treditore u vranë gjithsej 56 veta, burra, gra e fëmijë, të familjes e lagjes Jashari, por edhe të fshatit Prekaz.
Epopeja e Prekazit bëri kthesë në historinë e Kosovës. Ajo e ndërroi kahjen e saj, jo vetëm në planin politik, por edhe në atë moral, duke i treguar botës, pas shumë vjet përuljeje e poshtërimi, se këtu jeton një popull që është i gatshëm të flijohet për lirinë e vet.
Regjimi i Beogradit, krerët e tij, menduan se duke e goditur familjen Jashari, këtë çerdhe të rezistencës, do ta frikësonin popullin e Kosovës dhe do ta detyronin të hiqte dorë nga synimi i tij liridashës. Por ndodhi e kundërta. Populli i Kosovës dhe mbarë Kombi shqiptar, brenda e jashtë, u ngrit në këmbë: doli në rrugë e sheshe, në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, radhët e së cilës u mbushën me luftëtarë të rinj, djem e vajza, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga viset e tjera shqiptare dhe nga diaspora.

Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj!
Përvjetorin e rënies së Jasharëve këtë vit po e shënojmë në një kontekst të ri politik dhe jo vetëm.
Zgjedhjet e 14 shkurtit u mbajtën me sukses dhe rezultati tashmë dihet. Urojmë që sa më parë të konstituohen institucionet shtetërore: Kuvendi, Qeveria, Presidenca dhe që Republika e Kosovës të ketë, më në fund, për herë të parë në periudhën e pasluftës, një qeveri me mandat katërvjeçar, natyrisht me kusht që fituesit e zgjedhjeve t’i përmbushin premtimet e dhëna: drejtësia, punësimi, ekonomia, arsimi, shëndetësia, menaxhimi i krizës së pandemisë dhe, mbi të gjitha, lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Ky është zhvillimi kryesor në planin e brendshëm, ndërsa i jashtmi ka të bëjë me aleatin tonë të madh strategjik, Amerikën.
Në Uashington është ndërruar administrata. Në krye të Shteteve të Bashkuara, ka ardhur një njeri, që, ndryshe nga pararendësi i tij, e njeh historinë e Kosovës, vuajtjet nën sundimin serb dhe përpjekjet tona për liri e pavarësi. Ai që në vitin 1993 i tha në sy diktatorit serb Millosheviq: “Ti je një kriminel i mallkuar që duhet gjykuar”, besojmë se tani, si president i Amerikës, “do ta parandalojë kthimin e padrejtësisë në Ballkan”, shkruan revista prestigjioze amerikane News Week (Njuz-Vik).
Është e qartë se fjala është për Presidentin Bajden (Biden), i cili, me të hyrë në Shtëpinë e Bardhë, pas një tranzicioni të vështirë, të paparë në historinë e Shteteve të Bashkuara, deklaroi se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që, tek ne quhen gabimisht “dialog”, duhet të përfundojnë me një marrëveshje dypalëshe dhe me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.
Edhe një rrethanë tjetër nuk mund të mos përmendet në këtë përvjetor të Epopesë së UÇK-së: disa nga bashkëluftëtarët e Adem Jasharit sot ndodhen në burg, në Hagë, ku po gjykohen, si thuhet, për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, nga një Gjykatë e imponuar Speciale, të cilën e votuan edhe vetë. Ashtu siç ka punuar pa pushim kundër njohjeve të Kosovës si shtet, Serbia nuk ka lënë gur pa luajtur me aleatët e vet për njollosjen e luftës së UÇK-së, ndërkohë që ne (e kam fjalën për pushtetarët tanë) kemi qenë të zënë me rritje rrogash e tenderë dhe kemi menduar, pothuajse që të gjithë, se e drejta triumfon vetvetiu. Askush nuk është kundër përgjegjësisë individuale të atyre që mund të kenë bërë krime eventuale, por është pafundësisht e padrejtë dhe, madje, krim ta barazosh viktimën me agresorin.
Krahas ndryshimeve të shumta në qeverisje, në nivel institucional, Kosova ka nevojë për ndryshime edhe në planin e mendësisë, të asaj mendësie për të cilën flet Konica te poezia satirike Anadollaku në mësallë, kurse një intelektual tjetër kritik, Krist Maloki, në esenë e tij Oriental apo Oksidental? (1934), pasi citon vargjet: “Haja qenit, pija qenit, edhe bjeri karadyzenit”, e quan “portret i qelepirxhiut të pashpirt”.
Nuk mund të mos them dy fjalë në këtë fjalë rasti edhe për një çështje, që ka të bëjë po ashtu me mendësinë tonë të çuditshme. Përse gjithë ai zell për ta kundërshtuar, madje anatemuar, idenë e Bashkimit Kombëtar, duke e tundur si flamur sloganin e propagandës serbe: “Shqipëri e madhe”? Ka “Serbi të madhe”, sepse Serbia mban territore të banuara me popullatë joserbe, por jo “Shqipëri të madhe”! (Edhe sikur të bashkohej Kosova me Shqipërinë nuk do të kishim kurrfarë “Shqipërie të madhe”, sepse shqiptarët jetojnë, si asnjë komb tjetër në Evropë, në gjashtë shtete ballkanike: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Greqi, pa llogaritur shkapërderdhjen e tyre nëpër botë si “gjak i shprishur”, si thonë vëllezërit tanë arbreshë). Do të bashkohemi në Bashkimin Evropian (BE), blegërojnë disa, ku Shqipëria dhe Kosova, nëse do të arrijnë të hyjnë një ditë, do të “bashkoheshin” edhe me Qipron, Sllovakinë, Greqinë, Rumaninë dhe Spanjën, që ende s’po e njohin Republikën e Kosovës.
Bashkimi i shqiptarëve në një shtet është e drejtë historike e këtij Kombi të Ndarë, të cilën s’ka të drejtë ta mohojë askush, e aq më pak vetë shqiptarët. “Mohim i shtetit të Kosovës”, thonë “kosovocentristët” tanë. Le të provojmë të mendojnë pak më ndryshe, qoftë edhe për një çast: ta shohim ngritjen e kësaj çështjeje në funksion të përkujtimit të kompromiseve që kanë bërë shqiptarët si Komb në ristrukturimet gjeopolitike të Ballkanit dhe Evropës.
Shqiptarët i kanë bërë të gjitha kompromiset dhe nuk kanë ku shkojnë përtej “pakos së Ahtisarit”, që ua njeh serbëve lokalë statusin e popullit shtetformues në kuadër të këtij shteti me mbi 90 për qind shqiptarë, ku gjuha serbe është gjuhë zyrtare në tërë territorin e saj (gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk e ka pas përafërsisht këtë status); ku kishat dhe manastiret ortodokse, ndonëse pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës, sikurse edhe monumentet e tjera kulturo-historike, janë shtet më vete, gati si Vatikani. Të mos flasim për privilegje specifike si vendet e rezervuara në Kuvend dhe komunat me shumicë serbe a edhe njëetnike, që s’i gëzon asnjë komunitet tjetër në botë.
Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues në procesin negociues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shpresojmë t’i dijë dhe t’i marrrë në konsiderim këto fakte, pa harruar kurrsesi krimet barbare që ka bërë Serbia pushtuese mbi shqiptarët jo vetëm në fund të shekullit që lamë pas, por përgjatë tërë shekullit XX, e edhe më parë.
Debati për problemet e shumta me të cilat përballen sot Kosova dhe shqiptarët, mund të na shpie larg, prandaj le të kthehemi aty ku filluam: te ngjarja për të cilën jemi mbledhur sonte në këtë sallë: Epopeja e Lavdishme e UÇK-së dhe vendi ku u zhvillua ajo: Prekazi legjendar.
Ati birit dhe biri nipit do t’i rrëfejnë brez pas brezi, për atë që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në këtë katund të Drenicës, që është shndërruar tashmë në vend pelegrinazhi për shqiptarët. Dhe jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të gjithë njerëzit liridashës, siç dëshmon rasti i Kushnerit dhe i shumë personaliteteve të tjera nga rajoni dhe bota.
Poeti i shquar malazias, Jevrem Bërkoviq, kundërshtar i madh i hegjemonizmit serb dhe ideolog i pavarësisë së Malit të Zi, kur e vizitoi Prekazin (në dhjetor të vitit 2005), i shoqëruar nga një koleg i tij shkrimtar nga Prishtina, u përkul para secilit varr, dha ndihmesën e tij në arkën e Memorialit dhe mori me vete posterin e Adem Jasharit, për ta varur, si tha vetë, në dhomën e tij të punës në Podgoricë, sepse “dua ta mbaj kujtesën gjallë për këtë vend heroizmi dhe dinjiteti kombëtar”.
Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës! Përjetë mirënjohës!
Ju falemnderit!

Prishtinë, 6 mars 2021

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Kosova ende…