Escobar shpreson që asociacioni të jetë temë diskutimi këtë muaj në Bruksel

05 gusht 2022 | 16:31

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka theksuar tema për Asociacionin e komunave me shumicë serbe pritet të diskutohet gjatë këtij muaji në Bruksel.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar ka pohuar se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Ai ka thënë se qëndrimi i ShBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, ka deklaruar Escobar.

Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojmë. “Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.

Kosova dhe Serbia kanë arritur më 2013 Marrëveshjen për Asociacionin në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Dy vjet më vonë, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet e themelimit të Asociacionit.

Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik, dhe tha se ato mund të harmonizohen me ake nënligjore të Qeverisë.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.
Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani ia ka dorëzuar sot familjes së gazetarit…