Escobari i jep dy ditë afat Kurtit për t’u pajtuar me kërkesat e ShBA-së dhe BE-së

06 qershor 2023 | 15:47

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka dhënë dy ditë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të pajtohet me kërkesat e ShBA-së dhe BE-së për situatën në veri meqë të premten ai dhe emisari evropian, Miroslav Lajçak do t’u raportojnë eprorëve të tyre nëse ka sukses ose jo.

“E para është deeskalimi, e dyta është duam të shohim zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe e treta duhet menjëherë të lëvizim drejt zbatimit të marrëveshjes së Ohrit që nënkupton se duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që të angazhohet për Asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa nga Serbia. Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajçaku duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, ka thënë Escobari në një takim me gazetarë.

Escobari ka thënë se nëse Kosova nuk do të ndërmarrë veprimet e kërkuara do të ketë pasoja, por se ato s’do të ndikojnë në raportet afatgjate në mes të ShBA-së dhe Kosovës.

“Dua të bëj të qartë, që ne nuk e shohim këtë si pasojë për marrëdhëniet tona afatgjata, por veprimet e marra ose jo të marra do të kenë disa pasoja që do të ndikojnë pjesë të raporteve tona. Nuk dua të flas për këtë”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur takimin e 9-të…