Fahri Fazliu, ky kreshnik i shqiptarisë

31 tetor 2021 | 14:09

Shkruan: Skënder Haliti

Një çerekshekulli më parë, pikërisht  më 2 nëntor 1989, ranë heroikisht në Prishtinë në luftë me policinë serbe Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia.

Pas 11 marsit të  vitit 1981, kur rinia studentore dhe masat e gjera popullore u hodhën në revoltë të hapur kundër politikave diskriminuese dhe shkombëtarizuese serbe, Lëvizja Kombëtare për Çlirim që në gjirin e saj tubonte formacione të ndryshme politike ilegale, shpeshherë pa kontakte të mirëfillta organizative mes veti për shkak të rrethanave të vështira të  veprimit në ilegalitet të thellë, gjithnjë e më tepër po e shqyrtonte mundësinë e organizimit të një qëndrese të armatosur kundër represionit policor-ushtarak të Serbisë.

Shumë organizata ilegale kishin filluar të mendonin edhe për armët që nuk gjendeshin lehtë, gjë që tregon se ideja e luftës së armatosur, ende në embrion, po rrekej të kalonte në një stadium tjetër. Një mundësi tjetër çlirimi, duke e njohur natyrën dhe synimet historike të  politikës serbe,  nuk mund të merrej seriozisht në konsiderim, sepse  një zgjidhje paqësore e konfliktit serbo-shqiptar, e provuar më herët pa sukses nga komunistët shqiptarë,  ishte thjesht një iluzion politik në konstelacionet e atëhershme. Edhe sot kur statusi ndërkombëtar i kombit shqiptar ka ndryshuar esencialisht për të mirë,  në Serbinë e dobësuar në çdo drejtim nuk ka ndryshuar asgjë në këtë pikë. Racizmi antishqiptar është ai  që e njihnim dikur: tepër primitiv.  Sigurisht në ato vite të flisje hapur  për një rezistencë të armatosur në stil të gjerë  jo vetëm ishte një punë me rrezik të madh nga ata që ishin në përgjim të farkatores historike tek shqiptarët, por edhe tek njerëzit e tu rrezikoje të quheshe një lloj Don Kishoti,  përfshirë këtu edhe skeptizicmin shpërfillës  në qarqet ilegale.

Kjo mundësi e dëbimit të Serbisë nga Kosova konsiderohej e parakohshme për shkak të konjunkturave ndërkombëtare që nuk e favorizonin  ndryshimin e strategjisë së Lëvizjes tonë Kombëtare për Clirim. Dhe këto konjunktura për pesimistët që atëherë nuk ishin të pakët, ishin të përjetshme. Sidomos fakti që aleatja  më e madhe e  serbëve, Rusia sovjetike, ishte ende një faktor determinues i politikës botërore e bënte një shestim të tillë për shumë shqiptarë më tepër një dëshirë mendjelehtë sesa një mundësi reale. Megithatë këta skeptikë harronin diçka krejt të thjeshtë dhe nuk mund ta merrnin me mend se konjunktura ekzistuese, padyshim disfavorizuese për ide të tilla, mund të ndryshonin shumë shpejtë, madje edhe brenda një nate sic do të tregojë më së miri shembja e Murit të Berlinit saktësisht një javë pas rënies se Fahriut dhe Afrimit.

Sidoqoftë  shembujt e qëndresës së armatosur nuk kanë munguar edhe në mesin e atyre që ishin të organizuar politikisht në ilegalitet dhe që i përmbaheshin relativisht në mënyrë të rreptë linjës së veprimit të politik pa iu përgjigjur dhunës shtetërore serbe me të njëjtën monedhë. Qëndresa e armatosur e Tahir Mehajt në maj të vitit 1981 ishte një shenjë e qartë se shqiptarët nuk do ta duronin dhunën e shtetit jugosllav pa një reagim të vendosur, mirëpo ajo ishte, në anën tjetër, e një natyre tjetër, një instinkt spontan vetëmbrojtës shqiptar kundër sundimit të huaj që në rrjedhën e shekujve kurrë nuk ishte shuar ndër shqiptarë dhe kishte bërë që shqiptarët të mbeteshin shqiptarë.

Rezistenca e armatosur e Bajram Bahtirit, Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës në vitin 1984, përfaqësuesit më promimentë të organizatave ilegale politike që vepronin atëbotë në Kosovë,    tregonte ndërkaq se koha e një lufte të armatosur kundër pushtuesit nuk do të vononte shumë. Por në atë kohë ende ishte vështirë të jepej ndonjë parashikim se kurdo të fillonte dhe sesa e gjatë dhe e mundimshme do të ishte kjo luftë.  Dhe cilët konkretisht do të ishin aleatët tanë, për të cilët nuk dyshonim se i kishim në Perëndim, edhe pse sot nuk mungojnë segmente shoqërore që përpiqen të na bindin për të kundërtën.

Si shok i jetës ilegale i Fahri Fazliut mund të them pa hezitim se ai dhe Afrim Zhitia përfaqësonin atë fraksion në Lëvizjen Ilegale Shqiptare që çështjen e rezistencës së armatosur nuk e  shihnin vetëm si një mundësi teorike në një të ardhme të papërcaktuar, por si dicka shumë praktike,  për të cilën duhej menduar seriozisht dhe me urgjencë qysh tani, d.m.th. qysh  në vitet 1980 deri në momentin e rënies së tyre, kur themelet e rendit botëror që dolën nga Lufta e Dytë Botërore ishin tronditur dhe kur Muri i Berlinit pak më vonë  sa hap e mbyll sytë po kthehej në një fantazmë të një kohe tjetër të frikshme të ndarjes së botës në blloqe armiqësore, kur Jugosllavia kishte hyrë në një fazë dekompozimi politik dhe shtetëror të përshpejtuar, çështja e ndeshjes finale me serbët më shumë se teori ishte kthyer në një çështje imediate praktike. Rënia e tyre pas një lufte burrnore me serbët e dëshmon më së miri këtë që them.

Bashkë me Afrim Zhitinë, Fahri Fazliu do duhej të konsiderohej  njëri nga ushtarët e parë pararendës  të UCK-së, e cila tashmë e kishte hedhur hijen e saj në Prishtinë. Gjashtë vite më vonë bashkëluftëtarët të mëvonshëm të armëve të Fahriut dhe Afrimit do ta arrinin  me aksionet  e tyre të armatosura edhe kryeqytetin e Kosovës dhe tre vite më vonë së bashku me NATO-n do të hynin si fitimtarë  në kryeqendrën e dikurshme të organizimit ilegal.

Kush ishte Fahri Fazliu?

Fahri Fazliu lind më 24.02.1963 në Llaushë në një familje me tradita atdhetare. Ende pa shkuar në shkollë ai e kishte mësuar në oda faktet themelore të historisë së popullit të tij, në rrëfimet e të rriturve që e kishin përjetuar dhunën dhe terrorin serb, i cili më shumë se në kudo tjetër  i kishte gjurmët e tij ende të freskëta në këtë krahinë kufitare, në Llap. Jeta më vonë do t’ia bëjë  një gjë mese të qartë: liria kombëtare nuk do të bëhej realitet kurrë përderisa njerëzit nuk do të mendonin për të si për çështjen e bukës së përditshme. Të mendonin kështu dhe të ishin të gatshëm për sakrifica supreme.

Me këto mendime dhe qëndrime ai do të bëhet pastaj një protagonist i shquar i veprimit të pa kompromis  kundër pushtuesit serb. Shpejt do të kyçet në strukturat ilegale dhe do të shquhet si një njeri tepër i vendosur. Spektri i veprimtarisë së tij ishte i gjerë. Nuk do të kishte asnjë lloj veprimi sado i rrezikshëm të ishte që ai nuk do ta ndërmerrte, nëse shokët do t’ia ngarkonin. Shpërndarje traktesh, literature ilegale, ndihmonte  shokët ilegalë dhe familjet e të burgosurve politikë, etj. gjithë jeta e tij në thelb kishte vetëm atë përmbajtje që mishëronte rezistencën. Ai ishte një organizator me talent të madh, gjë që do të tregohej në demonstratat studentore dhe popullore ku ai ishte organizator dhe pjesëmarrës aktiv. Ishte një njeri jo vetëm i guximshëm, por edhe shumë i zgjuar dhe i palodhshëm.

Që në momentin kur e njoha më ra në sy karakteri i tij i jashtëzakonshëm i arketipit të luftëtarit kombëtar, një lloj kreshniku modern që kishte zbritur nga eposi i lashtësisë shqiptare në realitetin tonë të trishtë të pushtimit për të na dhënë zemër, për të na thënë dhe treguar me shembullin e tij se robëria nuk është fat i përjetshëm për ata që nuk e pranojnë atë si fatalitet. Kjo ndjenjë më shoqëroi vazhdimisht sa herë e takoja, sa herë e shihja këtë gjigand të atdhetarisë. Si bashkëveprimtar politik të bënte të entuziazmoheshe dhe të besoje se edhe përkundër represionit të pashembullt shtetëror dhe peshës së rëndë të robërisë që po rritej nga dita në ditë agimi i  lirisë nuk do të ishte i largët. Ai ishte ëndërrimtar dhe realist në të njëjtën kohë. Ai e ëndërronte atë që do të vinte dhe megjithatë nuk mbetej brenda ëndrrës, por si realist që ishte luftonte  atë që kishte përpara dhe që ishte barriera e madhe drejt të ardhmes pa prangat e robërisë.

Fahri Fazliu e dinte dhe nuk trembej aspak  faktit se liria rrugën e ka të shtruar  me gjak.  Ai ishte i gatshëm për të gjitha flijimet e mundshme. 2 nëntori i vitit 1989 e tregoi se ai i kishte hyrë luftës për çlirim pas asnjë iluzion, pa asnjë lloj frike, me vendosmërinë  e kreshnikëve të eposit që e bënin luftën me krajla në mënyrën e tyre që në shekuj u nderua si shkëlqim i racës sonë. Shpallja e tij hero i kombit nga ana e presidentes Jahjaga para disa vitesh  është një nder që i bëhet atij që në jetë vërtet kishte qenë i tillë. Kështu ai nga një vdekatar i zakonshëm u shndërrua në një yll të përjetshëm që ndriçon në qiellin e ndërgjegjes dhe kujtesës sonë  kombëtare.

Unë e kam ndjerë atëherë, në kohën e veprimit ilegal, dhe e kam ndjerë pastaj edhe më intenzivisht veten të privilegjuar që pata rastin të njihem me të, të veprojë për shumë vjet bashkë, të kujtoj pastaj gjatë gjithë këtyre viteve se pa njerëz të tillë si Fahri Fazliu kombi ynë do të ishte zhdukur prej kohësh në terrin e shekujve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” (Preshevë,…