Fajoni: Kosova ka bërë progres në përmbushjen e kritereve për vizat

13 prill 2018 | 17:36

Raportuesja e Parlamentit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i ka dhënë notë pozitive Kosovës sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.

Në një përgjigje për “Sllovenja” Fajoni ka thënë se kur është fjala për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është bërë progres i madh.

Megjithatë, Fajon, në përgjigjen e saj nuk ka folur konkretisht se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave.

“Kosova ka bërë progres të madh në përmbushjen e të gjitha kritereve të BE-së për liberalizimin e vizave. Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe sipas informative të mia, një progres i madh është bërë edhe sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka theksuar ajo.

Sipas Fajonit, tani Komisioni Evropian duhet ta njohë progresin që është bërë dhe se kjo do të bëhet shumë shpejtë.

“Sapo të japë Komisioni dritën jeshile, unë do të vazhdojë me procedurën e miratimit në Parlamentin Evropian. Do të jetë thelbësore që ministrat e BE-së të lëvizin shpejtë dhe po ashtu unë rreth kësaj do ta bëjë më të mirën e mundshme. Nuk kemi më asnjë arsye të mos veprojmë e as kohë të humbim. Qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin lirshëm në Evropë më shumë se kurrë më parë. Tani e kemi një rast unik që këtë ta bëjmë realitet”, ka thënë Fajoni.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Administratës Publike kanë nënshkruar…