FC Drenica: Mbështesim 100 për qind trajnerin Bylbyl Sokoli
FC Drenica ka reaguar në rrjetet sociale ndaj një grupi të tifozëve të skuadrës, të cilët kanë kërkuar shkarkimin e trajnerit Bylbyl Sokoli.
Grupi i tifozëve “Shqiponjat e Zeza”, ka kërkuar shkarkimin e trajnerit Sokoli për rezultatet e dobëta dhe arrogancën sipas tyre të shprehur ndaj tifozëve.
Klubi, në reagimin zyrtar, këtë deklaratë e ka quajtur tendencioze, me synim që ta dëmtojë skuadrën dhe se nuk do të lejoj ndërhyrjen nga jashtë, nga persona të caktuar.
“Deklarata e publikuar nga një grup i caktuar brenda klubit te tifozësh është tendencioze, dashakeqe dhe aspak e rastësishme. Qëllimi i saj është i qartë: të dëmtojë klubin në prag të ndeshjeve të rëndësishme që na presin. Kryesia, kryetari dhe zëvendëskryetari i klubit janë 100 për qind pas trajnerit Bylbyl Sokoli dhe lojtarëve tanë. Për herë të parë, FC Drenica ka një kryesi të fortë, me vendime që nuk lejojnë ndërhyrje nga jashtë. Pikërisht kjo nuk i pëlqen disa personave të caktuar, të cilët mund të kenë synime të këqija. Ne e bëjmë të qartë se nuk i marrim për bazë reagime të orkestruara, të cilat nuk përfaqësojnë vullnetin e tifozëve të vërtetë të Drenicës. Klubi vazhdon rrugëtimin e tij me unitet, përkushtim dhe besim të plotë në stafin dhe futbollistët tanë”, është thënë në reagimin e FC Drenica.



