FC Prishtina insiston: Ndeshja kundër Lirisë luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”

16 shtator 2023 | 20:33

Skuadra e Prishtinës po vazhdon të insistojë që ndeshja ndaj Lirisë do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Një postimi të klubit kryeqytetas në Facebook, thuhet se ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Lirisë do të luhet pikërisht në stadiumin e qytetit.

Për dallim nga Prishtina, Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi dje se ndeshja do të luhet në kampin nacional në Hajvali.

Por, me gjithë njoftimin e FFK-së, Prishtina ka ftuar tifozët që të blejnë bileta për ndeshjen ndaj Lirisë së Prizrenit, e cila thonë se luhet në “Fadil Vokrri”.

“Ndeshja FC Prishtina – KF Liria zhvillohet të dielën nga ora 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Hajde edhe ti. Biletat e ndeshjes dalin në shitje të dielën (ditën e ndeshjes) nga ora 11:00 rreth stadiumit ‘Fadil Vokrri’”, thuhet në njoftimin e klubit nga kryeqyteti.

“Kapja” mes Prishtinës dhe FFK-së nisi dje, kur Prishtina njoftoi se ndeshja do të zhvillohet në “Fadil Vokrri”. Menjëherë pas këtij postimi, reagoi FFK-ja, e cila tha se ndeshja do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali.

I menjëhershëm ishte kundërreagimi i klubit nga kryeqyteti i cili kërkoi nga FFK-ja ta përmirësojë “gabimin”, duke aluduar se Federata ka bërë gabim kur ka njoftuar se ndeshja do të luhet në Hajvali.

“Mbesim me shpresën se kjo është veçse lëshim jo dashakeq e jo tendencioz nga ana e Komisionit”, tha mes tjerash klubi prishtinas në reagimin e djeshëm.

Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Lirisë zhvillohet në kuadër të xhiros së pestë të Albi Mall Superligës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është shprehur…