Feja dhe integrimi i Kosovës në BE

09 prill 2018 | 11:42

Nga Mimoza Kelmendi

Feja islame është feja më e përhapur në Kosovë dhe e përqafuar nga pjesa më e madhe e popullatës shqiptare etnike, boshnjake, gorane dhe turke, si dhe nga disa anëtarë të bashkësisë rome, ashkali dhe egjiptiane. Në Kosovë e sidomos për popullsinë etnike shqiptare feja islame është përqafuar në kohën e sundimit osman në Ballkan dhe shumë karakteristika të saj përputhen me praktikat e kohës osmane. Ndërkohë vitet e fundit ka një lloj vëmendje të madhe ndaj rolit të fesë në rajon. Me anë të fuqisë financiare dhe influencës kulturore disa vende myslimane si Turqia dhe Arabia Saudite po përpiqen t’i ndryshojnë karakteristikat politike, kulturore dhe fetare në shoqëritë shqiptare në Ballkan, me qëllim krijimin e një terreni pjellor për islamin politik në rajon.

Madje pas zhvillimeve të fundit në mes të Prishtinës dhe Ankarasë u krijua një lloj paniku tek qytetarët jo vetëm për faktin e shkeljeve të të drejtave të njeriut por, mbi të gjitha, të shtyrjes së liberalizimit të vizave nga BE apo të devijimit të rrugës së integrimit evropian të Kosovës. Shumë analistë e shohin rolin e presidentit turk Erdogan në marrëdhënie me homologun e tij në Kosovë si një “ekspansion“ të Turqisë, i cili mund të rezultojë negativisht në proceset e ardhshme integruese të Kosovës në BE. Disa të tjerë mendojnë se “invazioni” i Turqisë në Kosovë do t’i largonte investimet gjermane, austriake, italiane apo skandinave në këtë shtet të ri të Ballkanit.

Nëse do t’u referohemi rezultateve të një ankete të Gallup Europe, shqiptarët e Kosovës rezultojnë të jenë qytetarët më të lidhur me religjionin në Ballkan dhe Evropë. Ka qenë pikërisht pyetja “A ka ndikim feja në jetën tuaj të përditshme?”, ku rreth 90 % e kosovarëve janë përgjigjur pozitivisht. Ndërsa nga një studim statistikor i zhvilluar nga Qendra e Studimeve Humanistike “Gani Bobi” dalin disa të dhëna interesante. Rreth 80.6 % e të anketuarve janë shprehur se janë pro kursit pro-perëndimor të Kosovës dhe se ai është i vetmi drejtim që duhet të ndjekë Kosova.

Feja është element i identitetit dhe vetëdijes të një populli dhe, si e tillë, është e patjetërsueshme dhe në planin evropian. Vetë feja katolike ka luajtur një rol thelbësor në formimin e identitetit kulturor evropian, por edhe në formimin e identiteteve parashtetërore e shtetërore evropiane. Shumë prej parimeve humaniste evropiane janë edhe parime humaniste karakteristike të humanizmit katolik. Duke u nisur nga gjykime dashakeqe shpesh dëgjohet të thuhet se feja islame nuk është në përputhje me identitetin evropian, tradicionalisht të krishterë, dhe që një shtet islamik nuk mund të bëhej pjesë e komunitetit evropian.

Por ky është thjesht një paragjykim, sidomos po të aktualizohet me Kosovën. Madje diplomati austriak Wolfgang Petritsch mendon ndryshe: “Për popullatën shqiptare të Ballkanit feja kurrë nuk ka qenë një çështje vërtet e rëndësishme. Nuk e di nëse kjo sot ka ndryshuar, por nuk mund të krahasohet me myslimanët e Bosnjës ku, pas luftës, pati një kthim më të fortë tek feja. Nuk e kam përshtypjen që feja në Kosovë apo Shqipëri luan një rol dominues”.

Islamizmi i këtyre vendeve si Kosova do të ishte një vlerë e shtuar në “arkën” e vlerave evropiane. Gjithashtu nga pikëpamja numerike, numri i besimtarëve myslimanë në këto vende mund të krahasohet me numrin e emigrantëve që janë besimtarë myslimanë në njërin prej vendeve më të mëdha të BE-së, Gjermaninë. Po kështu vetë Bullgaria, anëtare e BE-së që nga viti 2005 ka një komunitet të gjerë mysliman në përbërje të shtetit dhe nuk ka pasur pengesa për shkaqe fetare në rrugën e saj drejt BE.

Pra, domosdoshmëria e “së njëjtës fe” apo “papranueshmëria e islamizmit nën flamurin e BE” janë vetëm retorika dashakeqe që synojnë përçarje të vlerave të përbashkëta evropiane midis vendeve të Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën dhe BE-në.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe…