FFK-ja kërkon nga FIFA dhe UEFA ndalimin e garave ilegale në Kosovë

02 gusht 2019 | 11:19

Federata e Futbollit e Kosovës ka kërkuar menjëherë nga FIFA dhe UEFA që t’i ndalojnë garat ilegale të futbollit në territorin e Kosovës. “FIFA dhe UEFA duhet ta ndalojnë menjëherë Federatën e Futbollit të Serbisë që të mos i përfshijë klubet nga Kosova në garat e organizuara nga federata serbe”, thuhet në letrën e FFK-së.

Organizimi i ndeshjeve zyrtare dhe kupave nga klubet serbe brenda territorit të Kosovës është i patolerueshëm për Federatën e Futbollit të Kosovës. Numri një i FFK-së, Agim Ademi, të enjten i ka shkruar letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, ku ka kërkuar të merren masa ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, pasi një gjë e tillë nuk do të lejohet nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës.

“Në vazhdimësi shumë herë dhe për herë të fundit muajin e kaluar, ne e kemi adresuar në UEFA dhe FIFA shqetësimin tonë në lidhje me organizimin e një lige zyrtare dhe ndeshjeve të kupave nga klubet serbe brenda territorit të Kosovës. Situata do të eskalojë pasi që klubi nga Kosova, Trepça, do të garojë në Ligën e Tretë të Serbisë, gjë e cila nuk do të tolerohet nga qeveria, policia dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë”, thuhet në letrën e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në letrën reaguese është përmendur edhe pengimi i lojtarëve dhe trajnerit serb që mos të paraqiten në ndeshjen në mes Malit të Zi dhe Kosovës si dhe në ndeshjen e Ligës së Evropës ku lojtarët e Slovan Bratislavës nuk u lejuan të luajnë ndaj Feronikelit. “Për më tepër, ne prisnim më shumë mirëkuptim dhe konsideratë nga Federata e Futbollit e Serbisë, por duket se ata janë plotësisht të kontrolluar dhe të ndikuar politikisht. Moslejimi i lojtarëve dhe trajnerit serb të Malit të Zi të luajnë kundër Kombëtares së Kosovës dhe, së fundi, lojtarëve të Slovan Bratislavas kundër kampionit tonë, Feronikelit, është tregues i urrejtjes së thellë dhe humbjes së realitetit nga qeveria serbe”, thuhet në reagimin e FFK-së.

“Nëse FIFA dhe UEFA nuk ndërhyjnë dhe shfaqin vendosmëri, futbolli do të shkaktojë edhe më shumë konflikt politik, që do të ishte i paprecedent dhe dëmtues ndaj shtëpive tona të futbollit. FIFA dhe UEFA duhet ta ndalojnë menjëherë Federatën e Futbollit të Serbisë që të mos i përfshijë klubet nga Kosova në garat e organizuara nga federata serbe. Për më tepër, ne kërkojmë nga UEFA të ndërhyjë ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për t’i bërë ndryshimet e nevojshme në statutin e tyre, ku Kosova është pjesë e shoqatës së tyre, që është e papranueshme dhe në kundërshtim me të vërtetën dhe statutet e FIFA-s dhe UEFA-s”, përfundon reagimi i FFK-së për FIFA-n dhe UEFA-n.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta i ka kthyer…