Fiknete Bejta largohet nga AAK-ja, kjo është arsyeja

10 shkurt 2020 | 12:55

Fiknete Bejta nuk është më pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka bërë me dije se është tërhequr nga kjo parti, ku edhe ka dhënë arsyet e largimit.

“Po tërhiqem nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për ta mbrojtur dinjitetin tim, ku pata hyrë me vullnetin më të madh që t’i vë në lëvizje kapacitetet e mia politike dhe intelektuale në dobi të shoqërisë e të shtetit tonë. Jam e zhgënjyer shumë me përvojën time në këtë parti, sidomos me strukturat e saj, ku s’të shprehet as falënderimi më i vogël për punën e angazhimin që e bënë. Dola nga LDK me arsyen se më mungonte hapësira për të punuar, por në AAK gjeta edhe më keq. Shpresoja të paktën në mbështetjen e z. Haradinaj, por as te ai nuk gjeta mirëkuptimin e përmbushjen e premtimeve për të cilat u zotua kur më ftoi”, ka shkruar Bejta.

Ajo ka thënë se AAK-ja është një organizatë lideriste e rajonaliste, që nuk i ngjan aspak një partie politike me organizim demokratik.

Bejta ka bërë me dije se do të jetë asambliste e pavarur në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Postimi i plotë i saj:

Jo krejt kot Balzaku thoshte se nënshtrimi është vetëvrasje e përditshme. Secili prej nesh, sidomos ne këtë realitetin tonë të egër politik e ekonomik, gjendemi para situatave ku o duhet të nënshtrohemi, o të tërhiqemi dhe ta mbrojmë dinjitetin tonë.
E sot unë po bëj këtë, po tërhiqem nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për ta mbrojtur dinjitetin tim, ku pata hyrë me vullnetin më të madh që t’i vë në lëvizje kapacitetet e mia politike dhe intelektuale në dobi të shoqërisë e të shtetit tonë. Jam e zhgënjyer shumë me përvojën time në këtë parti, sidomos me strukturat e saj, ku s’të shprehet as falënderimi më i vogël për punën e angazhimin që e bënë. Dola nga LDK me arsyen se më mungonte hapësira për të punuar, por në AAK gjeta edhe më keq. Shpresoja të paktën në mbështetjen e z. Haradinaj, por as te ai nuk gjeta mirëkuptimin e përmbushjen e premtimeve për të cilat u zotua kur më ftoi.

Si kandidate për deputete në listën e AAK-së dhe PSD-së në zgjedhjet e 6 tetorit, dikush mund të thotë se kjo është hapësira, por përvoja ime dëshmon se ky është veç një iluzion, ngase kjo mundësi që vjen me një mijë prapavija, është më e keqe se pamundësia për t’u kandiduar. Fatkeqësisht, kuptova se AAK është një organizatë lideriste e rajonaliste, që nuk i ngjan aspak një partie politike me organizim demokratik. Po s’u bëre servil i liderëve dhe grupeve rajonale me interesa të caktuara aty brenda, denigrohesh deri në pafundësi. Këto struktura, me këtë mendësi, që fyejnë primitivisht e nënshtrojnë egërsisht anëtarët që angazhohen, nuk mund të jenë parti, e aq më pak bllok ideologjik që çon përpara politika shtetërore. Ngjajnë më shumë në ndonjë turmë para-mesjetare që ndjekin prenë e tyre.

Të rinjtë e anëtarët që më mbështetën sa isha në AAK, i falënderoj pa masë dhe u them që ta ruajnë dinjitetin e integritetin e tyre, që të mos ua nëpërkëmbin, sepse këto janë mburoja e fundit e subjektit tonë njerëzor. Nëse thyheni këtu, atëherë do të nënshtroheni dhe do të jenë përjetësisht të pafuqishëm për ta nxjerrë veten nga ajo situatë poshtëruese.
Duke i falënderuar të gjithë miqtë, mbështetësit e votuesit, unë ju njoftoj se do të vazhdoj të jem asambleiste, tash si e pavarur, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku zotohem se do të angazhohem me të gjitha kapacitetet e mia që të bëj më të lehtë jetën e të gjithë qytetarëve të kryeqytetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Studentët e viteve të ‘70-ta kanë pasur sfida të mëdha,…