Flamuri i Kosovës u ngrit në Fshatin Olimpik në PyeongChang

08 shkurt 12:07

Në një atmosferë solemne, është bërë ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës në Fshatin Olimpik në PyeongChang, ku po qëndron ekipi olimpik i Kosovës për Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang2018”.

Ekipi olimpik i Kosovës i prirë nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasnai u prit nga kryetari i Fshatit Olimpik, Yeo Hyeung-Koo, i uroi mirëseardhje Kosovës.

Ceremonia e ngritjes së flamurit në Fshatin Olimpik simbolizon ngritjen e flamurit të Kosovës gjatë kohës sa do të zgjasin Lojërat Olimpike Dimërore në PyeongChang. Organizatori ndau dhurata për ekipin tonë olimpik, kurse presidenti Hasani i dhuroi Hyeong Koos “Vrapuesen e Prizrenit” dhe flamurin e Kosovës.

“Padyshim se është ndjenjë e veçantë, sepse ku këtu në PyeongChang po ndodh historia e sportit të Kosovës, pasi për herë të parë po marrim pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Si çdo qytetar tjetër po ndihem edhe unë mirë. Po marrim pjesë me Albin Tahirin, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina. Sot ishte ngritja e flamurit ku së bashku me kryetarin e Fshatit Olimpik. Ishte delegacioni i Kosovës dhe delegacionet tjera, të cilat përcollën me vëmendje ngritjen e flamurit të Kosovës”, ka thënë Hasani.

Më pas, presidenti i KOK-ut, Besim Hasani u nënshkrua në Murin e Paqes. Pas ceremonisë media të huaja intervistuan delegacionin e KOK-ut për ngritjen e flamurit dhe pjesëmarrjen e parë të Kosovës në LOD.

Të enjten në ceremoni u bë ngritja edhe e flamujve të Islandës, Ganës, Ekuadorit dhe Lihtenshtajnit. Ceremonia kryesore e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore bëhet nesër (e premte).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë nisur punimet në lagjen e Epërme në qytetin e…