Forumi rajonal i dialogut dhe bashkëpunimit i bën bashkë tre zëvendëskryeministrat shqiptarë

18 mars 2022 | 11:42

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) ka organizuar konferencën vjetore “Forumi rajonal i dialogut dhe bashkëpunimit”, ku pjesëmarrës ka qenë zëvendëskryeministri i Kosovës, ai i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në këtë forum është thënë se organizime të tilla kanë për qëllim shkëmbimin e njohurive në proceset eurointegruese.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Evropa këtë javë e ka vërtetuar duke shpërfaqur unitetin e Kosovës proevropiane.

Ai ka thënë se me shtetet e rajonit drejt Bashkimit Evropian duhet të kenë unitet e bashkëpunim rajonal.

“Kosova dhe vendet tjera po vazhdojnë të përfitojnë nga IPA. Kosova përfiton edhe nga qasja që ka me BE-në dhe janë programe 7-vjeçare për të mbështetur politika të BE-së, siç janë hulumtimi dhe inovacioni, kultura, shëndeti e arsimi. Qeveria ka vendosur të shfrytëzojë mundësinë në pjesëmarrjen në BE dhe të përforcojë kapacitet e saj dhe ne si qeveri mirëpresim iniciativa të bashkëpunimit me komuna”, ka thënë Bislimi.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka thënë se kjo temë determinon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Ai ka thënë se shteti i tij ka kaluar në shtrirje të pushteteve, raporton “Rel”.

“Pozicionimi juridik krijonte pabarazi e kjo më së shumti reflektonte të shqiptarët duke mos e mundësuar të merrnin obligimet dhe përgjegjësitë. Nga ky këndvështrim marrëveshja e Ohrit inicioi ndryshime të mëdha dhe krijoi bazën juridike të komunave. Nënshkrimi i marrëveshjes dhe ndryshimet kushtetuese nuk ka shkuar përherë si duhet. Ai kaloi një rrugë të gjatë implementimi ku u miratua Ligji për qeverisje lokale, për qeverisjen e Shkupit. Numri aktual i qeverisjes lokale është 80. Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të qeverisjes se decentralizuar. Kemi formuar edhe grupin ndërsektorial. Unë gati çdo ditë pranojë kërkesa të komunave tona me kryetarë të komunave të Kosovës. Sprova e deritanishme e qeverisjes lokale ka treguar shumë përparësi. Ky pushtet është më afër qytetarit dhe mundëson edhe kushte për barazi në arsim”, ka thënë Grubi.

Në anën tjetër, ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik është shprehur se qëllimi i tyre është rritja e llogaridhënies dhe transparencës.

Më tutje, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se qëllimi i kësaj ministrie është bashkëpunimi me komunat e Kosovës.

Kurse drejtori i Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Valmir Gashi, ka thënë se synojnë shkëmbimin e njohurive në proceset eurointegruese.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit