FSK-së i shtohen edhe 17 oficerë të rinj të karrierës

01 korrik 2022 | 14:13

Në Kazermën “Adem Jashari”, pas katër vite studime akademike, ka diplomuar të premten gjenerata 2022 e kadetëve të Qendrës për Studime Universitare “Wesley Clark” e Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së.

Në ceremoni të diplomimit, morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, personalitete të institucioneve politike, diplomatike, e ushtarake vendore dhe ndërkombëtare, ushtarakë e zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe familjarë të kadetëve të diplomuar.

Me këtë rast, para të pranishmëve, fjalim mbajti ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili vlerësoi lartë këtë të arritur, jo vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, por edhe për gjithë qytetarët e vendit, shtetin dhe institucionet e saj.

Ai porositi oficerët e rinj që të gjitha njohuritë akademike dhe shkathtësitë profesionale të fituara t’i orientojnë në shërbim të forcës për të avancuar edhe më shumë dedikimin e shenjtë për mbrojtjen e vendit, respektivisht lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të tij.

Gjithashtu, ai theksoi se të gjitha këto duke u udhëhequr nga vlerat më të larta të ushtarakut, dhe duke kujtuar gjithmonë të kaluarën tonë të lavdishme dhe bartësit e saj brez pas brezi.

Në kuadër të programit, përveç ndarjes së diplomave, u publikuan edhe emrat e instruktorit dhe kadetit më të dalluar.

Kadeti më i dalluar për gjeneratën 2022, u shpall kadet Korab Seferi, kurse instruktori më i dalluar, u shpall toger Premtim Shaqiri, të cilët pranuan medaljet nga ministri Mehaj dhe gjeneral Jashari.

Këtë ceremoninë e pasuruan edhe më shumë pikat e zgjedhura artistike të ekzekutuara nga Orkestra Muzikore e FSK-së, si dhe drillit ceremonial të ekzekutuara nga Togu Ceremonial i FSK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpati Zekaj është mundur në çerekfinale nga xhudisti serb, Aleksandar…