Gashi: Detyra ime është ta rikthej Besën në Superligë

25 shtator 2018 | 18:02

Trajneri Fisnik Gashi është rikthyer në klubin e Besës me mision për ta rikthyer në Superligën e Kosovës. Gashi, i cili e zëvendëson Ismet Munishin në postin e trajnerit, ka thënë se të jesh trajner i Besës është privilegj, por edhe përgjithësi e madhe. “Si ish-futbollist, normalisht se e kam të vështirë ta pranoj se ky klub është në Ligën e Parë, por duhet të punojmë të gjithë maksimalisht për ta rikthyer aty ku e ka vendin. Jam këtu për ta dhënë maksimumin që Besën të rikthej në Superligë”, ka thënë Gashi.

Ish-futbollisti legjendar i Besës, Fisnik Gashi, pas një kohe relativisht të gjatë është rikthyer në skuadrën e zemrës me mision mjaft të vështirë për ta rikthyer në Superligën e Kosovës në futboll. Klubi pejan e konfirmoi Gashin si pasardhës të trajnerit Ismet Munishi, i cili kohë më parë dha dorëheqje nga pozita e trajnerit, ani pse në këtë klub e kishte marrë me synim për ta rikthyer në Superligë.

Fisnik Gashi ishte trajner i Lugut të Baranit, por ofertën e parë që mori nga Besa nuk hezitoi ta pranojë dhe synimi i tij është që klubi pejan të rikthehet në rangun elitar. Gashi të hënën për “Epokën e re” ka thënë se të jesh trajner i Besës është privilegj, por edhe përgjithësi. “Jam rikthyer në klubin e Besës pas besimit që e kishte kryesia se unë mund ta udhëheq klubin më të suksesshëm pas luftës në Kosovë. Normalisht se është privilegj, por edhe përgjithësi e madhe për të drejtuar një klub me traditë të madhe siç është Besa. Si ish-futbollist, normalisht se e kam të vështirë ta pranoj se ky klub është në Ligën e Parë, por duhet të punojmë të gjithë maksimalisht për ta rikthyer aty ku e ka vendin. Jam këtu për ta dhënë maksimumin që Besën të rikthej në Superligë”, ka thënë Gashi, i cili ka lavdëruar fondin, por edhe kushtet që i ka krijuar kryesia për t’i vazhduar garat në Ligën e Parë.

Gashi foli edhe për skuadrat që i sheh konkurrente në garën për rikthim në IPKO Superligë. “Skuadrat që i shoh si pretendente për kreun e tabelës janë Besa, Vëllaznimi, Vushtrria, Dukagjini i Klinës dhe Onixi. Besoj se jemi në avantazh ndaj këtyre rivalëve”, ka shtuar ai.

Fisnik Gashi ka një karrierë të pasur si futbollist. Ai ishte pjesë e të gjitha grupmoshave në skuadrën e Besës së Pejës me të cilën luajti edhe në ekipin  e parë duke fituar tri herë titullin e kampionit në Kosovë dhe një herë fitues i Kupës dhe Superkupës. Gashi luajti edhe për skuadrën e Trepçës, Elbasanit, Bashkimin e Kumanovës, Milanon e Kumanovës dhe Renovën. Dy herë ishte pjesëmarrës në eliminatoret e garave në UEFA dhe një herë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Ndërsa nga 2002-n e deri në vitin 2010 ishte pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, aktualisht…