Gazetarët e huaj të befasuar me të arriturat e Kosovës

27 qershor 2018 | 08:46

Me ftesë të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, një grup i kryeredaktorëve, gazetarëve dhe fotoreporterëve të akredituar pranë selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kanë ardhur për vizitë në vendin tonë.

Grupi, në përbërje nga Foreign Policy, Al Jazeera, UN Insider, Deutsche Welle, The Guardian dhe media të tjera, po qëndrojë për disa ditë në Kosovë.

Ky grup i medieve të huaja do të ketë takime të nivelit të lartë me udhëheqësit e vendit, ata të nivelit lokal, si dhe do të vizitojë pjesët më të rëndësishme historike, trashëgimisë kulturore dhe asaj turistike.

Fatmir Haxholli nga MPJ, ka thënë se sjellja e gazetarëve ka të bëjë me Kosovën.

“Gazetarët janë ata që bartin mesazhin dhe ideja jonë është që të tregohen potencialet e Kosovës”, ka bërë me dije ai në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij, qëllimi i kësaj vizite është, që mediat ndërkombëtare të përcjellin nga afër zhvillimet dhe progresin që është bërë në vend, që nga shpallja e Pavarësisë dhe në një kohë kur janë shtuar përpjekjet diplomatike për anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Ai ka theksuar se kjo vizitë e gazetarëve të huaj ka të bëjë me afirmimin e Kosovës si një storie suksesi e partneritetit mes institucioneve tona dhe atyre perëndimore, si dhe për promovimin e një imazhi sa më të mirë të vendit në marrëdhëniet me jashtë.

Gazetari, Ian Uillams, ka treguar se ka qenë në Kosovës më herët.

Ai ka kujtuar kohën kur Prishtina ishte ndryshe.

Uillams ka thënë se nëse shikohen statistikat e Kosovës Kosova është shumë e varfër. “Nuk e di se çka po ndodh, këtu ka shumë ndërmarrësi, ka shumë zhvillim. Këtu është një mozaik dhe një udhëkryq i Ballkanit. Kosova ka shumë bukuri të cilat kanë mundësi për të zhvilluar vendin”, ka thënë ai.

Edhe Erol Avdoviq ka pohuar se ka qenë më herët në Kosovë. “Sot është më ndryshe. Unë jam i befasuar se si Kosova është zhvilluar. Këtu janë ndërtuar shumë rrugë”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grupi i Grave Deputete, me mbështetje të UNFPA-së, organizoi tryezë…