Geci: Për herë të parë pushka ndaj forcave serbe krisi në 1992-ën, ishim tre veta

28 nëntor 21:07

Xhevahir Geci, një prej bashkëluftëtarëve më të afërt të komandantit Adem Jashari dhe ushtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrëfyer për aksionin e parë kundër forcave serbe.

Ai ka thënë se sulmi i parë mbi forcat serbe është realizuar më 7 korrik 1992, pjesë e së cilit ishte vetë ai, Gani Geci dhe Agim Geci. Geci ka deklaruar se ky mund të jetë sulmi i parë në tërë Kosovën ndaj forcave serbe.

Ai ka thënë se prej javësh ishin në kërkim të rrethanave të përshtatshme për realizimin e sulmit.

“Ka qenë aksioni i parë i UÇK-së në rrugë në Skenderaj. Tre njerëzit e parë që kryen sulmin e parë. Kemi dalë dhjetëra herë për t’i zënë forcat serbe në vend të përshtatshëm, pa dëmtuar dikënd. Kemi dalë dhjetëra herë me Ganiun. S’ndodhte asgjë dhe ktheheshim.Pas një jave, kemi dalë dhe e kemi kry, mes dy shkollave, në mesnatë”, ka thënë Geci në Pressing të T7.

Geci, duke u rrëfyer në Pressing, ka thënë se aksioni ishte i suksesshëm dhe i kishte shkaktuar dëme forcave serbe. Ai ka thënë se ajo ishte hera e parë që ata kishin përdorur armët kundër forcave serbe.

“Ka pasur sukses bukur mirë aksioni ynë, edhe pse ishim të rinj dhe na mungonte përvoja. Ka qenë hera e parë që përdorëm armë kundër forcave serbe”, ka deklaruar ai.

Geci ka thënë se kur aksioni ishte realizuar, të tre pjesëtarët ishin të rinj.

Komandanti dhe frymëzuesi i tyre ishte Adem Jashari.

“I kemi pasur rreth 22, 23 vite. Komandant i yni ka qenë komandanti legjendar Adem Jashari, ka qenë edhe frymëzim kur jemi ndier të lodhur e të mërzitur. Në kullë të Ademit kemi marrë kurajo”, ka thënë ai.

Emisioni i plotë KËTU.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhevair Geci, bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, ka treguar…