Gërvalla vlerëson marrëdhëniet mes Izraelit dhe Kosovës

11 maj 2022 | 11:28

Në kuadër të vizitës bilaterale në Izrael, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka vizituar dje parlamentin e Izraelit ku u takua me përfaqësues të ndryshëm të Knesset-it.

Gjatë takimit me Ram Ben Barak, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje, ministrja Gërvalla ka vlerësuar marrëdhëniet mes Izraelit dhe Kosovës dhe bëri një përshkrim të mundësive dhe nevojës për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen.

Theks i veçantë u vu gjatë bisedës në sfidat gjeopolitike të krijuara nga lufta ruse në Ukrainë dhe rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

Rreth një përfshirjeje më të mirë dhe efektive të gjeneratave të ndryshme të diasporës dhe mërgatës, ajo diskutoi me Zeev Elkin, ministër i Jerusalemit dhe Trashëgimisë.

Ministrja Gërvalla ka theksuar se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja e gjatë dhe mbresëlënëse e Izraelit në këtë fushë.

Në takimin me Ali Salalha, kryetar i Grupit të Miqësisë Izrael – Kosovë, Gërvalla ka theksuar nevojën e një bashkëpunimi më të dendur parlamentar mes Knesset-it dhe Kuvendit të Kosovës.

Delegacioni i Republikës së Kosovës, e përfundoi ditën me një pritje në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem, ku morën pjesë përfaqësues të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë izraelite, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Izrael.

Përfaqësuesja e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri, gjatë fjalës së saj përshëndetëse vuri në pah në veçanti frymën shumë miqësore të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Kosovës dhe theksoi potencialin e madh të bashkëpunimit në të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Flamuri i Kosovës është në mesin e shumë flamujve të…