Gërxhaliu thotë se vendimi për dinarin e përshpejton themelimin e Asociacionit

27 shkurt 2024 | 11:52

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa brenda shtetit, është e qëlluar, por në rrethana të gabuara.

Ai ka thënë se pikërisht ky vendim do ta përshpejtojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gërxhaliu ka vlerësuar se ky vendim nuk është dashur të merrej në kohën kur Kosova ishte nën sanksione nga Bashkimi Evropian.

Sipas tij një vendim i tillë është “dhuratë e madhe për Serbinë”.

“Kam thënë edhe në të kaluarën, por e them edhe sot se vendimi i Bankës Qendrore ka qenë vendim i qëlluar, por në rrethana dhe në kushte politike apo strategjike mjaft të gabuara. Dhe në këtë drejtim sot Kosova e paguan një kosto shumë të madhe të mungesës së një dialogu të mirëfilltë, qoftë në aspektin intern apo edhe me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me shtetet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është sjellë një vendim në kohën kur Kosova ishte nën sanksione të BE-së, u vendos një rregullore në kohën kur ishim në procesin e dialogut me Serbinë. U soll një vendim i tillë kur pritej aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, u pritke forcimi i Partneritetit për Paqe me NATO dhe të bëhej një vendim i tillë, është dhurata më e madhe që ka mundur t’ia bëjë dikush Serbisë dhe diplomacisë serbe”, ka thënë Gërxhaliu për “Ekonomia Online”.

Më tutje, Gërxhaliu ka thënë se vendimi i BQK-së përshpejton edhe më shumë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Me këtë vendim, definitivisht Kosova do të jetë e dëmtuar në forma të ndryshme derisa kërkohej eliminimi i sanksioneve përballë Kosovës, të sillet një vendim që e betonon këtë qëndrim të BE-së dhe me siguri këto sanksione do të jenë edhe më tutje në fuqi dhe do të ketë masa të tjera dhe ajo që e kam paralajmëruar që do të jetë efekti negativ i një rregullore të tillë të pakoordinuar e të pamatur. Është proces i përshpejtimit i krijimit të Asociacionit dhe vetë fakti që sot tema e dinarit nuk është problem bilateral në mes të Kosovës dhe Serbisë, por është çështje politike e bartur në Bruksel dhe presioni ndërkombëtar është mbi Kosovën, besoj se është dëmi më i madh që ka mundur t’i bëhej Kosovës në këtë kohë”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se vendimi i tillë nuk është dashur të merrej në kohën kur institucioni financiar me bazë në Serbi, “Komercijalna Banka” po mbyllej në Kosovë.

“Do të jetë preteksti për dinarin një presioni në politikbërsit kosovarë nga faktori ndërkombëtar që ta përshpejtoj procesin e krijimit të Asociacionit. Politizimi i dinarit dhe futja në agjendën evropiane është një dëm që vërtet Kosovën do dëmtoj, sepse Kosova nuk ka fuqi diplomatike as ekonomike ta parandalojë këtë kampanjë dhe këtë propagandë të Serbisë dhe në këtë drejtim besoj që pajtohemi. Kosova e ka bërë një autogol aq të rrezikshme, çka mund te jetë një penalti në favor të ardhmërisë së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar, Petrit Nimani ka thënë se Gjykatat administrative kanë…