Gjërat e parëndomta

23 janar 2022 | 09:19

SALI BASHOTA

 Atë ditë asgjë nuk ngjante me gjërat që i kishte adhuruar në fëmijëri. Sytë tashmë e shikonin botën ndryshe. Thoshin se fati i fëmijës është i lidhur në kërthizë sepse aty mpleksej per­iudha e vajit. Disa ëndërronin bashkë me periudhën e kohë­zgjatjes së puthjeve prej nga vinte parandjenja për buzëqeshjet e sapoformuara të cilat i jepnin shpirt asaj ndjesie të bukur për të cilën kishte treguar vazhdimisht Rrëfimtari i çasteve të dehura. Askush nuk kishte ndër mend të mendonte më shumë për ta vërtetuar këtë fakt.

Shiu i imët tashmë e zbulonte misterin ku riprodhohej kuj­tesa për mëkatin e dashurisë. Buzët e asaj vajze e kërkonin vetëm afshin e përsosur të reagimeve në atë sfond të kaltër, ku përshkruhej zhvendosja e kuptimeve në një ëndërr simbolike, derisa dridhej tërë hapësira përreth. Prandaj ngjashmëria me gjërat e parëndomta ia ngjallte oreksin për ta kuptuar më mirë lumturinë e vërtetë sesi do të bëheshin bashkë dëshirat e njerëzve të vetmuar në këtë botë.

Disa ditë më vonë Rrëfimtarit të çasteve të dehura i ra ndër mend ta kuptonte arsyen e vërtetë për ta mbërritur qëllimin përfundimtar, se ku fillonte dhe ku mbaronte kënaqësia e syve. Me një fjalë, a kënaqej syri derisa e zotëronte hapësirën e shiki­mit për t’i lidhur ndjenjat përbrenda dëshirës dhe vullnetit.

– Dashuria për vetveten është emri i një mallkimi, – tha Rrëfimtari i çasteve të dehura. Sigurisht nuk gjeti fjalë më të duhur për ta shprehur inatin ndaj gjërave të parëndomta dhe pas pak ndjeu edhe një dhimbje të fortë në shpirt.

Asgjë më shumë.

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
BUJAR BALLIU Ndjesitë paralajmëruese e mbanin në tension. Fletoret, para…