‘Gjithë populli të çohet në këmbë’, qytetari i mllefosur pas dënimit të Thaçit
Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Broja u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të ngrihen kundër asaj që e konsideron padrejtësi, pasi Gjykata Speciale e ka dënuar me 17 muaj burgim ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.
Ai ka thënë se shqiptarët nuk kanë kryer krime në tokat e tyre dhe se nuk duhet të dënohen për mbrojtjen e vendit, shtëpive dhe popullit të tyre.
“Po e thërras gjithë popullin të çohet në këmbë, sepse po bëhet padrejtësi e madhe. Nuk kemi bërë na të dënohemi në Hagë. Ku është Karagiqi, ku është Slloba? Sa i dënuan serbët? Dy vetë i kanë dënuar. A na një pas një duke u dënuar, për vendin tonë, për shtëpitë tona dhe për popullin tonë. Mbarë popullin shqiptar edhe këtë tokë shqiptare e kanë dënuar, jo vetëm ata katër, pa bërë krime në trojet e veta, në tokat e veta, shtëpitë e veta”, ka thënë ai para gazetarëve.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë.
Dënimi është shpallur nga gjyqtari Kristofer Gosnell, të martën, në seancën e mbajtur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.



