Gjykata nxjerrë urdhëresë për ta sjellë me forcë në seancë ministrin Xhelal Sveçla

03 shkurt 2022 | 13:18

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjelle me detyrim në seancë ndaj ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe Agron Kabashit, pasi të njëjtit munguan në seancën e së enjtes.

Sveçla, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj janë duke u akuzuar se në qershor të vitit 2013 kishin hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të policisë ku ishin lënduar lehtë katër policë.

Një vendim i tillë është marrë nga gjykatësi i rastit Eroll Gashi, pasi për të akuzuarit Sveçla dhe Kabashi gjykata kishte prova se të njëjtit ishin ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të akuzuarin Kabashi, gjykatësi Gashi ka deklaruar e i njëjti e ka refuzuar ftesën që të paraqitet në gjykatë, andaj ndaj tij është lëshuar urdhëresë për sjelle me detyrim në seancën e radhës.

Po ashtu, në këtë seancë kanë munguar edhe Pajtim Demaj, Sami Avidu, Nol Nushi, Frashër Krasniqi dhe Bekim Shkodra.

Lidhur me mungesën e të akuzuarve Demaj dhe Avdiu, gjykatësi Gashi ka thënë se gjykata  ende nuk ka pranuar fletë dërgesën për të konstatuar nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa për të akuzuarin Nushi dhe Shkodra, sipas gjykatësit Gashi gjykata më 22 dhjetor 2021 ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim por deri në kohën e mbajtjes së kësaj seance, gjykata nuk ka pranuar ndonjë njoftim zyrtar lidhur me zbatimin e kësaj urdhërese nga e Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.

Kurse për të mungesën e të akuzuarit Krasniqi, gjykatësi Gashi ka deklaruar se edhe për të gjykata më 24 janar 2022 kishte lëshuar urdhëresë për sjelle me detyrim mirëpo sipas njoftimit të Stacionit Policor Veriu në Prishtinë thuhet se i njëjti nuk është gjetur në adresën e dhënë sipas urdhëresës.

Më tutje, gjykatësi Gashi ka thënë se në këtë njoftim është thënë se policia ka komunikuar me prindin e të akuzuarit Krasniqi i cili kishte deklaruar se për djalin e tij nuk ka ndonjë informacion se ku jeton.

“Lidhur me mungesën e të akuzuarit, Frashër Krasniqi, gjykatësi, Gashi njoftoi se ndaj të njëjti për të cilin gjykata ka lëshuar urdhëresë me 24.01.2022,  për sjellje me detyrim mirëpo nga stacioni policor veriu ne Prishtinë jemi njoftuar se kemi dalë në adresën sipas urdhëresës Frashër Krasniqi nuk ka qenë në atë adresë , ndërsa ne kemi komunikuar me babin e tij Ali Hasan Krasniqi , dhe i cili ka deklaruar “ djali na ka dal prej dore dhe nuk e dimë se ku jeton”, ka thënë gjykatësi Gashi.

Pas konstatimit të palëve i akuzuari Azemi ka deklaruar se ka afërisht 2 vjet që i njëjti kërkon nga prokuroria që të pajiset me shkresat e lëndës, mirëpo sipas tij kjo e fundit nuk e përmbushur obligimin e saj.

Lidhur me këtë, prokurori Mustafa ka thënë se në administratën e prokurorisë do të verifikojë nëse ka ndonjë kërkesë të tillë, dhe të gjithë palët që nuk janë të pasitur me shkresat e lendes mund ti drejtohen kësaj prokurorie.

Ndryshe, të pranishëm ishin prokurori Besart Mustafa, Dardan Molliqaj, Egzon Azemi, Afrim Maqastena, Pajtim Havolli, Afrim Hoxha dhe  Besnik Qelaj.

Meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, seanca e radhës është shtyrë në kohë të pacaktuar.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq nuk është shkarkuar pasi shumica e deputetëve…