GRUA PREJ GURI

14 nëntor 10:10

AG APOLLONI

GRUA PREJ GURI
(Ferdonije Qerkezit, që e thërrasin edhe Donja)

Ti bijë e Tantalit dhe e Dionës,
Donja Niobe,
grua tokësore,
e goditur nga shigjeta hyjnore,
cili qe gabimi yt, e thua dot
(përveç gabimit të bukur të çdo nëne,
që kujton se fëmijët e saj janë më të bukurit në botë)?
Fati s’e ka dorën e lehtë, ai i ngjan Letos.
Donja Niobe,
herën e parë të pashë në Firence,
rrethuar nga niobidët
në sallën e ftohtë,
dhimbje e ngrirë në gur;
herën e dytë të pashë në Gjakovë,
të ulur në zemër të vetmisë,
pa fëmijë, pa burrë.
Je mit në alabastër,
Je legjendë në lëkurë.
Amfionit dhe fëmijëve ua morën masën
dhe ua qepën të njëjtën rrobë.
Pastaj Parkat varën veten me penjtë e prerë
kur dëgjuan vajin tënd, Niobë.
Tash dhimbja ulet në mes të dhomës,
malli si miu ha veten nëpër kënde.
Unë hap “Iliadën” te kënga e fundit dhe shoh
se si Priamin e ngushëllojnë me dhimbjen tënde.

Donja Niobe,
ti njëzet vjet pret … Uliksin, Telemakët e tu … diellin;
në sofër ushqen veten me kujtime,
e dhimbja jote e bën me turp edhe Qiellin.
Në teatrin tënd të absurdit, pritja hedh valle,
lotët e lojës lirike lajnë kujtesën emocionale.
Donja, zonjë e dhimbjes,
primadonë e tragjedisë sonë,
pritja përgjithmonë nuk zgjat,
se ora e dasmës zinë s’arrin ta matë.
Takimi një ditë do të ndodhë,
(para porte do të shfaqen fëmijët dhe burri),
historinë ta lexojmë në relievin e Shkëmbit Vajtues,
Donja Niobe, zonja jonë prej guri.

(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë. Në ditët në vijim, duke nisur nga e djeshmja, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata Evropiane e Hendbollit ka njoftuar të premten se janë…