Hamiltoni: Gara më e vështirë e jetës time
Gara e Çmimit të Madh të Azerbajxhanit zhvilluar ditën e diel në pistën e Baku ka qenë një makth për pilotin britanik Lewis Hamilton. Ai e nisi garën nga vendi i tetë dhe në fund e mbylli atë në vendin e katërt. Gjithsesi, ai ka vuajtur shumë në pistë problemet me “porpoising” (lëkundjet) që kishte njëvendëshja e tij.
Makina tundej jashtëzakonisht shumë e po ashtu edhe koka e 7 herë kampionit të botës në Formula 1, sa herë që Mercedesi kalonte në pjesën e drejtë, me një shpejtësi që i kalonte 300km/orë. Kjo ka sjellë mjaft probleme fizike te piloti britanik, që ka vuajtur po ashtu si shoku i tij i skuadrës George Russell (i treti).
“Kjo ka qenë gara më e vështirë e jetës time nga ana fizike, për dhimbjet e tmerrshme që kam provuar. Gjithsesi, rezultati është pozitiv, pasi u renditëm në vendet 3-4. Kur ta zgjidhim këtë problem, do të duelojmë për fitoren”, ka thënë Hamilton. Ai mezi ka dalë nga makina e tij pas garës, ku është ndihmuar nga një inxhinier i Mercedesit.



