Haradinaj akuzon LDK-në: Është në mbështetje të mashtrimeve të Kurtit dhe Osmanit

18 dhjetor 2023 | 13:39

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është në mbështetje siç i quan ai, të mashtrimeve të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.

Haradinaj në një bisedë për “Kosovapress” ka akuzuar LDK-në se në shumë situata nuk ka qenë e unifikuar me opozitën dhe ka mbështetur pushtetin.

Haradinaj ka folur edhe për draftstatutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të propozuar nga emisarët euro-amerikanë, për të cilin thotë se ka elemente shqetësuese, mirëpo theksoi se Gjykata Kushtetuese mund ta pastrojë atë dhe t’i largojë nenet jokushtetuese.

“Të gjithë të tjerët nga Lista Vetëvendosje, Osmani, Konjufca janë staf i Kurtit dhe përcjellin mashtrimin e Kurtit, janë pjesë e këtij mashtrimi. Për fat të keq edhe një pjesë e opozitës tonë, shihet se LDK-ja është në mbështetje të këtyre mashtrimeve në shumë situata deri më sot, që nga votimi i presidentes pastaj mospërkrahja e mocionit dhe shumë raste edhe kjo prezenca për me i bë një lloj dekori fjalimit vjetor të presidentes, e cila s’pati asnjëherë gjatë gjithë vitit një qëndrim të prerë për të cilëndo çështje të rëndësishme të jetës sonë”, ka thënë Haradinaj.

Lideri i AAK-së ka kërkuar nga kryeministri Kurti të tregojë sesi e ka paraparë implementimin e Asociacionit, meqenëse sipas tij, e ka pranuar të njëjtin në kuadër të marrëveshjes së Brukselit, madje ka kërkuar edhe nënshkrimin e palës tjetër.

Haradinaj e sheh të pamundshme që të ndryshojë versioni i draftstatutit të Asociacionit, pavarësisht vërejtjeve të kryeministrit Kurti te ndërmjetësit.

Andaj, ai thotë se nëse dokumenti dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese kësisoj siç iu është prezantuar partive opozitare, atëherë do të dërgojnë komente në kushtetuese për të kundërshtuar disa nene të draftstatutit të Asociacionit.

“Qeveria duhet të tregojë sesi e ka paraparë implementimin, meqenëse e ka bërë një pranim në planin ndërkombëtar dhe tani çka pason. Nëse logjika është se qeveria dokumentin e paprekur, pa ndërhyrje fare e dërgon në Gjykatë Kushtetuese atëherë palët e shqetësuara, palët e tjera dërgojnë komente, pra bëjë ankesë. Ne si Aleancë mund t’i dërgojmë komente, mund të kundërshtojmë në disa nene këtë draftstatut të Asociacionit. Komentet (vërejtjet e qeverisë) nuk vlejnë më pas gatishmërisë për ta pranuar. Ju lutem, komentet kanë vlejtur deri para këtij qëndrimi të qeverisë, në kuptimin për t’ia dërguar BE-së. Por në momentin kur kryetari i qeverisë ka deklaruar se është i gatshëm për nënshkrim por kërkon nënshkrimin edhe të palës tjetër, atëherë me siguri kjo situatë ka përfunduar. Pra nuk ekziston mundësia e komentimit te ndërmjetësi, por prapë së prapë besoj se është e mundshme që Gjykata Kushtetuese ta pastrojë këtë dokument prej disa pikave që ndërhyjnë në Kushtetutën e vendit”, ka theksuar Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Zvicër,…