Haradinaj: Kam pritur që menjëherë pas zgjedhjeve do të krijohen institucionet e reja

05 janar 2020 | 12:01

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se viti që lamë pas nuk ka qenë i lehtë.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se një nga sfidat për vitin 2019 ishte dorëheqja e qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të reja.

“Nuk ka qenë vit i lehtë, ka qenë vit me plot sfida. Një nga sfidat ishte dorëheqja e qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje, të cilat kanë përfunduar me sukses. Tani është me rëndësi ndërtimi i institucioneve. Ndërkohë, Kosova është më e konsoliduar sesa ka qenë ndonjëherë në historinë e vet. Zbatimi i rendit dhe ligjit po ndodh në të gjithë vendin, çështja e ‘Trepçës’ është zgjidhur, pavarësia energjetike është arritur, kemi filluar unifikimin e tregut me Shqipërinë në energji, ushtria jonë po merr rritë dhe prodhuesit e vendit po marrin frymë më lirshëm për shkak të taksës ndaj Serbisë. Pra, kanë arritur të konsolidohen dhe të jenë më të qëndrueshëm sesa kanë qenë në të kaluarën”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se ka pritur që menjëherë pas zgjedhjeve do të krijohen institucionet e vendit.

“Kur kam dhënë dorëheqje në fund të korrikut kam pritur se pas dy apo tre muajve nuk do të vijë më në këtë zyrë. Pra, kam pritur se menjëherë pas zgjedhjeve do të krijohen institucionet e vendit. Pas zgjedhjeve të suksesshme kam pritur se procesi i konstituimit të institucioneve të ndodhë më shpejt”, është shprehur Haradinaj.

Në pyetjen se ka pasur deklarime nga njohësit e çështjeve kushtetuese, se pas dorëheqjes ju është dashur ta lëshoni zyrën e kryeministrit, Haradinaj është përgjigjur:

“Tani shihet se a kanë qenë në rregull ato pretendime. Imagjinojeni funksionimin e shtetit, funksionimin e të gjithë resorëve se sa të ndjeshëm janë. Ende nuk e ndien qytetari i Kosovës që s’ka qeveri të re. Pra, dobësimi i aspekteve qeverisëse do të ishte fatal për Kosovën në këtë kohë të tranzicionit. Do të ishte kthim prapa, sepse në mezi e kemi krijuar këtë gjendje”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eros Grezda po kalon momentet e tij të fundit në…