Haradinaj kujton të rënët në fshatrat e Gjakovës

29 janar 2020 | 11:47

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka kujtuar 30 dëshmorët që ranë para 21 vitesh në fshatrat e Gjakovës, saktësisht në Bishtazhin, Goden dhe Rogovë të Hasit.

Ai ka thënë se 27, 28 dhe 29 janari i vitit 1999, ishin ditët prej më tragjikeve gjatë luftës çlirimtare.

“Në tentim për të shkuar drejt kufirit e të ktheheshin me armatimin që aq shumë iu duhej luftëtarëve të lirisë, do të përjetësohen shumë burra, shumicën e të cilëve kisha rastin t’i njoh nga vijat e frontit. Përgjithmonë përulem para veprës së tyre dhe gjithmonë kujtojmë emrat e tyre: Agron Rama, Agim Zeneli, Sejdi Rama, Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gaspër Karaqi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Vëllezërit Memë e Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sahit Krasniqi, Valon Gashi dhe Vesel Avdyli”.

“Ato ditë të kobshme, në tentim për të strehuar e shpëtuar luftëtarët e plagosur u flijuan dhe rogovasit Rrustem Morina me djemt Selmanin, Muhametin e Nusretin, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala dhe Rifat Shala. Rënia e tyre u bë frymëzim që ne të vazhdonim luftën për liri deri në ditën e fitores”, ka shkruar Haradinaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati i Popullit ka proceduar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e…