Haradinaj: Lëvizja e lirë është një e drejtë dhe privilegj, por ka edhe obligime

10 tetor 2018 | 12:01

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në promovimin e fazës së re të fushatës për liberalizimin e vizave.

Kryeministri Haradinaj,  ditën e sotme e quajti të posaçme, pasi kujtoi kohën kur si i ri ka emigruar edhe vetë dhe është informuar për jetën jashtë vendit para se të migronte, duke thënë  se lëvizja e lirë është një e drejtë dhe privilegj.

Më tutje, kryeministri ka thënë se sot janë mbledhur që të diskutojnë dhe sqarojnë qytetarëve të Kosovës se lëvizja e lirë “Schengen” është një e drejtë e privilegj që i ka edhe disa obligime, përgjegjësi, të cilat duhen ditur.

“Liberalizimi i vizave nuk është punë e lehtë, edhe kur jepet mund të sanksionohet pastaj”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se edhe nëse dakordohet për liberalizim, ndonjë vend anëtar mund të propozojë edhe pezullim, prandaj, siç ka thënë ai, kjo temë nuk duhet neglizhuar.

Ai ka falënderuar Ministrinë e Integrimeve Evropiane dhe Zyrën e Bashkimit Evropian dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për t’u plotësuar kriteret për liberalizim, përmes të cilit fitohet liria e lëvizjes.

“Jemi qytetarë të lirë dhe kjo na takon, jemi Evropë, kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithë jetën dhe është privilegj, por ka edhe obligime që duhet zbatuar me përpikëri”, ka thënë kryeministri.

Haradinaj ka uruar që sa më shpejt të lëvizim lirshëm dhe t’i dëshmohet familjes evropiane që jemi qytetarë të dinjitetshëm.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Integrimit Evropian sot ka lansuar fazën e re…