Haradinaj: Do ta bëjmë një Kosovë të jetueshme edhe për brezat që vijnë pas nesh

31 dhjetor 2017 | 21:42

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj,  ka uruar qytetarët e Kosovës për Vitin e Ri.

Ai deklaroi se ka pranuar urime të panumërta nga shqiptarët kudo në botë për të dhe familjen e tij.

Urimit të tij, Haradinaj i bashkëngjiti një fotografi familjare ku shihet mes bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

Postimi i plotë:

Në prag të ndërrimit të moteve kam marrë urime të panumërta, nga shqiptarë çdokund në botë, nga qytetarë kosovarë e miq të Kosovës, me urimet më të mira për mua, Anitën dhe fëmijtë, për familjen time të gjërë, Haradinaj!
Më kanë uruar për prosperitetin e Kosovës, që na obligon t’i shërbejmë me devotshmëri dhe dashuri.

Sonte, kur mblidhemi sipas zakonit rreth votrës së zjarrit, me familjarë e miq, i kujtojmë dëshmorët e lirisë, që iu bënë dritë Atdheut!
U mbulofshin me lavdi të përjetshme!

Më kanë shkruar ata që e duan Kosovën unike, duke më porositur që të ndërtojmë koncensus që së bashku t’ia dalim mbanë – ta ruajmë Republikën tonë!
Më kanë shkruar për të më uruar bashkëpunëtorë të mi nga AAK-ja dhe kabineti qeveritar, punëtorë, diplomatë e artistë, pensionistë, policë e mësues … Për çka i falënderoj nga zemra!

Jam i vetëdijshëm se Atdheu ynë, Republika e Kosovës, ka përpara shumë sfida, por zotohem se nuk do t’ju zhgënjej, sepse do të përballem me tërë fuqinë e mendjes dhe shpirtit me problemet e vendit dhe së bashku me ju qytetarë kosovarë – me forcën e ligjit – do ta bëjmë një Kosovë të jetueshme, për vete dhe brezat që vijnë pas nesh!

Zoti ju bekoftë Juve dhe familjet Tuaja!
Paqja dhe dashuria mbretërofshin në familjet dhe shtëpitë Tuaja!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka…