Hasani, pas prezantimit te Partizani: Gjithmonë kam dashur të luaj në Shqipëri

26 janar 2021 | 18:17

Ferhan Hasani është goditja e Partizanit në merkato. Klubi kishte arritur marrëveshje prej disa ditësh dhe fantazisti u pa në derbi dhe në sfidën kundër Teutës në stadium. Të martën ka ardhur edhe prezantimi i sulmuesit, i cili do ta mbajë numrin 24.

Në konferencë i pranishëm ishte edhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama. Për Partizanin ky është afrimi i tretë i rëndësishëm. Hasani u shpreh se nuk është ende në formën e duhur, por premtoi se do ta japë maksimumin në fushë sapo t’i jepet mundësia. Ai tregoi se e njeh kampionatin shqiptar dhe se i kishin thënë se do të bënte gabim po ta zgjidhte Tiranën. “Kampionatin shqiptar e njoh mirë, pasi e kam ndjekur prej kohësh. Qëkur kemi nisur bisedimet kam filluar ta ndjek edhe më shumë. Për sa i përket anës sime, se nuk kam ndeshje në këmbët, dua të saktësoj se do të jem këtu për një kohë të gjatë. Do të bëj më të mirën në stërvitje për ta arritur formën. Si do të shkojë ky bashkëpunim nuk e di, atë do ta tregojë koha. Unë nuk do të jem ndryshe, do të jem si futbollistët e tjerë. Ju lutem, mos më trajtoni ndryshe”, ka thënë Hasani.

“Pse zgjodha Partizanin? Edhe Rama e tha më herët: kemi pasur bisedime të cilat kanë qenë të shkëlqyera. Kam pasur dëshirë të luaj në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që sot jam këtu. Kam pasur dëshirë të bashkohesha me Partizanin. Si e shoh sulmin e Partizanit? Të them të drejtën nuk e kam diskutuar këtë pjesë. Do ta vendosë trajneri se ku do të luaj dhe nëse do të luaj apo jo. Do ta jap maksimumin për ekipin”, ka shtuar ai.

Më pas sulmuesi Hasani ka vlerësuar se niveli i futbollist shqiptar është rritur shumë vitet e fundit, çfarë dëshmon edhe fakti se disa ish-lojtarë të Shkëndijës tash janë pjesë e Superiores. “Është pozitive që ish-shokët e skuadrës sime te Shkëndija kanë ardhur në Shqipëri. Kjo do të thotë se futbolli shqiptar është në nivele të larta. Ka qenë lart, por me ardhjen e lojtarëve cilësorë shtohet më shumë cilësia. Ardhja e tyre tregon shumë për kampionatin shqiptar. Është një kampionat i fortë dhe jo si në Maqedoni. Pozicioni në fushë? Unë e shikoj vetën aty ku do trajneri. Mendoj se jam një lojtar si gjithë të tjerët. Do ta jap maksimumin për arritjen e objektivave. Nëse dalim kampionë apo jo, le t’ia lëmë kohës”, ka deklaruar Hasani.

Në fund, ish-sulmuesi i Shkëndijës e ka zbuluar edhe bisedën telefonike me Ardian Cuculin. “Kur kishte zëra për kalimin tim te Tirana, Cuculi më mori në telefon dhe më tha se do të bëja zgjedhjen e gabuar. Më tha të zgjidhja Partizanin dhe jo Tiranën. A jam gati për debutim? Nuk e di, të them të drejtën, por do të shikojmë si do të jetë gjendja. Janë gjëra të trajnerit dhe stafit teknik”, ka përfunduar Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës,Avdullah Hoti, takoi menaxhmentin…