Hasani: Taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës të mos hiqet

11 shkurt 2019 | 08:20

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se nga dita e marrjes së vendimit të Qeverisë së Kosovës për vënien e taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjë Hercegovinës, eksportuesit e Kosovës kanë shënuar përparim. 

Sipas tij, rritja e prodhimit është shënuar kryesisht tek verërat, mallrat ushqimore dhe pijet. 

“Prej vënies së taksës 100 për qind

ndaj mallrave me origjinë serbe dhe të Bosnjë Hercegovinës, mund të themi se eksporti ka shënuar progres, pasi është rritur dukshëm prodhimtaria vendore dhe mundësitë për të eksportuar janë dukshëm më të mëdha. Nga informatat dhe kontaktet që kam me eksportuesit, në të gjitha kompanitë thuajse është dyfishuar eksporti dhe, po ashtu, është rritur edhe numri i të punësuarve”, ka thënë Hasani, duke shtuar se pos që ka rritje në tregun vendor, ka edhe përfitim të tregjeve të reja. 

“Më parë kishim rritje kryesisht tek industria e drurit dhe ajo metalike, tash kemi rritje kryesisht në fushën e konsumit si te verërat, pijet dhe ushqimet në përgjithësi”, ka thënë ai.

Hasani ka deklaruar se eksportuesit e Kosovës tani kanë rritur operimin e tyre kryesisht në vendet e regjionit dhe CEFTA-s.

“Prej vënies së taksës, kryesisht eksportuesit kanë arritur që të kenë shtrirje më të madhe në vendet e regjionit dhe CEFTA-s”, është shprehur Hasani.

I pyetur se për cilat mallra është vërejtur vakum apo është hasur në vështirësi të zëvendësimit, ai ka thënë se janë kryesisht mallrat e higjienës, por për të cilat është bërë zgjidhja e zëvendësimit. 

“Janë disa mallra të higjienës të cilët në sasi të konsiderueshme më parë i kemi importuar nga Serbia, të cilat tani mund t’i zëvendësojmë me produkte nga Maqedonia ose Shqipëria”, ka thënë ai.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka theksuar se eksportuesit e Kosovës vazhdojnë të përballen me importimin e lëndës së parë dhe pajisjeve të teknologjisë.

“Akoma kemi probleme sa i përket doganës, përkatësisht importimit të lëndës së parë dhe pajisjeve teknologjike, që është në disfavor të atmosferës biznesore. Po ashtu, ende kemi vështirësi për importimin e pjesëve rezervë të lëndës së parë dhe ambalazheve, mirëpo dalëngadalë shihet se po punohet për evitimin e këtyre probleme”, ka thënë Hasani.

Ai ka bërë apel që taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës të mos hiqet pasi, sipas tij, është në disfavor të interesave biznesore. 

“Sipas mendimit tim, taksa duhet të mbetet në mënyrë që mos të marrim mallra nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, kur dihet se kjo taksë na ka ndihmuar mjaft shumë për rritjen e prodhimtarisë vendore. Pos efekteve politike, kjo taksë në masë të madhe ka edhe efekte ekonomike, pasi ka ardhur deri te një rikonstruktim i kompanive vendore. Gjithashtu kemi një vetëdijesim të konsumatorëve dhe qytetarëve në përgjithësi. Pra, taksa ka efekte shumëdimensionale”, është shprehur Hasani.

Ai ka thënë se gjendja e eksportit momentalisht nuk është e kënaqshme mirëpo, sipas tij, pritshmëritë janë më të mëdha në sajë edhe të rimëkëmbjes së Ferronikelit. 

“Nuk është i kënaqshëm niveli i eksportit pasi sillet rreth 400 milionë euro. Besoj se këtë vit do të kemi rritje më të madhe, sepse kemi edhe fushën e industrisë metalike, që pati rënie nga 150 milionë euro dhe eksporteve në 30-40 milionë euro në saje të krizës që kishte. Tash pas rimëkëmbjes besoj se në këtë fushë do të kemi rreth 100 milionë euro eksporte”, ka deklaruar Hasani.

Ndërkaq sa i përket bashkëpunimit me Shqipërinë, konkretisht lehtësirave nga porti i Durrësit, Hasani ka thënë se ende ka vështirësi të procedurave administrative. 

“Porti i Durrësit është një lehtësim i madh për ne, sepse janë ende disa probleme të natyrës administrative dhe këto do të duhej të tejkaloheshin. Qeveritë e të dyja vendeve duhet t’i identifikojnë mirë problemet e përbashkëta dhe jo vetëm të mbajnë takime dhe konferenca mediale”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, është shprehur i bindur se…