Haxhiu thotë se e ka mbështetjen e Komisionit të Venecias për reformimin e sistemit prokurorial

10 dhjetor 2021 | 16:45

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka marrë mbështetje nga Komisioni i Venecias për reformimin e sistemit prokurorial, pas pjesëmarrjes në mbledhjen plenare të këtij komisioni.

Haxhiu ka shkruar se në përgjigjen e kërkesës së ministrisë që drejton Komisioni i Venecias ka konfirmuar nevojë për reformimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

“Sapo dolëm nga takimi në kuadër të Mbledhjes Plenare të Komisionit të Venecias ku u diskutua nisma e Ministrisë së Drejtësisë për të reformuar Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ndryshimet në këtë projektligj janë rekomandime që rrjedhin nga Strategjia për sundimin e ligjit 2021–2026, e cila tashmë ka filluar të zbatohet. Në përgjigje të kërkesës tonë, Komisioni i Venecias konfirmoi nevojën për reformim të Këshillit Prokurorial. Komisioni i Venecias i jep dritë të gjelbër ndryshimeve ligjore në sistemin prokurorial dhe ofron rekomandime specifike për plotësimin e mëtejshëm të projekt-ligjit, për të siguruar përfaqësim të balancuar”, ka shkruar ministrja Haxhiu në llogarinë e vet në “Facebook”.

Haxhiu ka shkruar se Grupi punues do ta vijojë punën në Projektligjin për KPK-në në përputhje me rekomandimet.

“I mirëpresim këto rekomandime. Grupi punues do të vijojë punën në projekt-ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në përputhje me rekomandimet në fjalë. Reforma në sistemin prokurorial njëjtë si ajo në drejtësi do të ndodhë dhe kjo, në përputhje me standardet vendore kushtetuese, rekomandimet e Komisionit të Venecias si dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare”,  ka shkruar Haxhiu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Dritës do të përballet nesër me Ulpianën në…